Lajme Shqip Tuesday, 11 August 2015 16:08

Njohësit e çështjeve juridike dhe kushtetuese dhe monitoruesit e punës së Kuvendit vlerësojnë se opozita ka pasur të drejtë ta iniciojë në Gjykatën Kushtetuese kontestimin e vendimit të Kuvendit për themelimin e Gjykatës Speciale.

Por, ata nuk presin që Kushtetuesja do ta rrëzojë këtë vendim të Kuvendit. Gjithsesi, këtë rast, ata e shohin si sfidues për përbërjen e re të Gjykatës Kushtetuese.

Amendamenti 24 që nuk kishte kaluar në Kuvend në seancën e 26 qershorit, para se të riprocedohej në Kuvend më 3 gusht, do duhej ta dërgohej në Gjykatën Kushtetuese, vlerëson eksperti i çështjeve juridike e kushtetuese, Mazllum Baraliu.

Qeveria nuk e ka bërë një gjë të tillë dhe sipas Baraliut, kjo është bazë për opozitën që ta kontestojë vendimin e Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese.

Megjithatë, Baraliu nuk pret ndonjë vendim të Gjykatës Kushtetuese që do të shkojë në favor të opozitës.

 “Mendoj se opozita ka pasur të drejtë të gjykojë se ka bazë të caktuar edhe procedurale edhe substanciale për ta inicuar këtë çështje dhe e ka inicuar. Nuk ka asgjë të keqe. Sa i përket verdiktit të Gjykatës Kushtetuese gjithsesi që nuk mund të paragjykohet, por unë nuk dua të tingëllojë si pesimist, por kam skeptën time se megjithatë ajo do të refuzohet”, tha Baraliu për Radio Kosovën.

Kurse, Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës, që monitoron punën e Kuvendit thekson se deputetët e opozitës me dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, po e shfrytëzojnë një të drejtë të tyre.

Kjo sipas tij, është një sfidë për Kushtetuesen.

 “Kjo e drejt ekziston dhe kjo e drejtë po shfrytëzohet. Vendimin për atë se a kanë bazë deputetët për ta kundërshtuar apo jo dhe cila është baza, e vlerëson Gjykata Kushtetuese si autoriteti i fundit. Ky është një rast sfidues sidomos për përbërjen e re të Gjykatës Kushtetuese, për të parë si po ecë në zhvillimin e vetë ky institucion shumë i rëndësishëm në Kosovë”, tha Selmanaj për Radio Kosovën.

Megjithëse vlerëson se nuk ka pasur shkelje të procedurave në seancën e 3 gushtit, Selmanaj thotë se mënyra si është proceduar nga Qeveria i njëjti amandament që më herët kishte marrë votë kundër në Kuvend, e lëndon rëndë demokracinë dhe jetën plurale në Kosovë.

Kurse, profesori Mazllum Baraliu vlerëson se në këtë seancë ka pasur shkelje të natyrave të ndryshme edhe procedurale e përmbajtësore.

Sipas tij, përveç që Qeveria do duhej ta pyeste edhe njëherë Gjykatën Kushtetuese për amandamentin 24, edhe Kryesia e Kuvendit i ka shkelur procedurat gjatë riprocedimit të kësaj çështje në Kuvend. /RTK/