Lajme Shqip Friday, 14 September 2012 19:07

Prishtinë – “Pezullimi nga detyra i pjesëtarit të Policisë së Kosovës dhe zhvillimi i hetimeve të brendshme, është iniciuar me kërkesë të drejtorit rajonal, pasi besohej se oficeri i policisë së Kosovës, kishte dështuar në respektimin e urdhërit dhe mospërfillje të hierarkisë komanduese lidhur me hyrjen ilegale të një zyrtari të Republikës së Serbisë në teritorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim të Policisë së Kosovës

Policia e Kosovës nuk ka bërë me dije se për cilin zyrtar është fjala, por të premten pa leje të Policisë në Zveçan ka qëndruar, shefi i “Zyrës për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili përmes një deklarate ka mbështetur strukturat paralele serbe, duke thënë se Serbia nuk do të largohet nga veriu i Kosovës.

Në njoftimin e Policisë, thuhet se rreshteri policor, aktualisht ushtrues i detyrës së komandantit të stacionit policor në Zveçan, është suspenduar me vendim të drejtorit rajonal mbi bazën e dyshimit të shkeljes dhe mosrespektimit të Ligjit të Policisë dhe Parimeve e Procedurave të Policisë së Kosovës.

Ditë më parë, autoritetet policore kanë dëbuar Vulinin jashtë territorit rë Republikës, gjatë një vizite që po zhvillonte në Kosovë, për shkak se kishte devijuar nga agjenda për të mos mbajtur fjalime politike, për të cilën gjë ai ishte pajtuar, kur ka marrë lejen për të vizituar Kosovën.

Sipas procedures së paraparë, zyrtarët serbë për të vizituar Republikën e Kosovës duhet të bëjnë kërkesë te përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Prishtinë. Më pas kërkesa i përcjellet Qeverisë së Kosovës, e cila merr vendim pasi ta ketë shqyrtuar agjendën. Në rastin Konkret Prishtina ka vlerësuar se Vulin e ka shpërfillë agjenden dhe është deportuar nga Kosova.(LajmeShqip.com)