Lajme Shqip Wednesday, 29 August 2012 14:40

Prishtinë -Lidhja Demokratike e Kosovës është tërhequr nga Komisioni për Reformën Zgjedhore. Tërheqja sipas LDK bëhet në shenjë pakënaqësie për mos respektimin e marrëveshjes ndërmjet liderëve politik për ndryshimet kushtetuese dhe reformat zgjedhore që në fakt prekte edhe në mandatin e presidentes aktuale dhe institucioneve të vendit.

Lajmi është konfirmuar nga kryetari i këtij Komisioni, Haki Demolli, deputet i LDK-së.

“Sot kemi mbajtur takimin e fundit të Komisionit për Reformën Zgjedhore dhe ne dy përfaqësuesit e LDK-së, duke e pasur parasysh mos respektimin e marrëveshjes tri palëshe, tërhiqemi nga Komisioni deri në momentin kur kjo marrëveshje të zbatohet”, ka thënë Demolli.

Sipas marrëveshjes së vitit të kaluar ndërmjet liderëve të PDK-së, LDK-së dhe AKR-së, të ndërmjetësuar nga ish-ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, e cila më pas ishte fuqizuar edhe me miratimin e një rezolute nga Kuvendi, përveç reformave kushtetuese e zgjedhore, vendi do të shkonte në vjeshtën e këtij viti në zgjedhjet e para presidenciale si dhe në vjeshtën e vitit tjetër në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Por, Gjykata Kushtetuese kishte interpretuar më pas këtë marrëveshje, përkatësisht pjesën që fliste për shkurtimin e mandatit të presidentes si jo kushtetuese.
Në bazë të asaj marrëveshjeje ishin formuar edhe komisionet ad-hock për ndryshimet kushtetuese dhe reformën zgjedhore, por me këtë tërheqje të LDK, këto reforma janë në prag të dështimit, shkruan Evropa e Lirë. (LajmeShqip.com)