Lajme Shqip Monday, 22 July 2013 16:02

Prishtinë – LDK konsideron se qeveria po keqpërdor rreth 1 milion euro para publike në emër fondit për kuadro. Nëpër ministri të ndryshme, persona me thirrje të njëjtë profesionale paguhen ndryshe varësisht nga afërsia e tyre me partitë në pushtet. LDK vlerëson se këto shtesa po ndahen mbi baza të militantizmit partiak, e jo në bazë të arritjeve të veçanta profesionale apo për profesione deficitare.
Rast eklatant për këtë është Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve të kësaj ministrie marrin shtesa në emër të fondit të kuadrove nga 250 deri në 500 euro në muaj mbi pagën e tyre bazë. Këto shtesa janë të barabarta me dy paga mesatare të një shërbyesi civil.
Z.Kusari-Lila e ka shfrytëzuar edhe pozitën e saj si kryesuese e Komisionit të Fondit për Kuadro për të shpërblyer bashkëpunëtorët e saj, shumica e të cilëve janë të AKR-së dhe vijnë nga komuna prej nga vjen ajo.
Disa nga personat e përfshirë në këtë skemë janë të tillë që sapo kanë filluar punën dhe nuk kanë asnjë përvojë. Disa të tjerë janë pa ndonjë ngritje të veçantë profesionale
Megjithatë, LDK konsideron se ky keqpërdorim i mjeteve është simbolik krahasuar me nivelin e keqpërdorimeve dhe korrupsionit që po ndodh në këtë qeveri.