Lajme Shqip Wednesday, 04 April 2012 22:26

Prishtinë – Sundimi i ligjit në Kosovë po përballet me sfida të shumta, të cilat tashmë, si pasojë i paaftësisë së qeverisë së Kosovës po shndërrohen në defekte serioze sistemore.

Kështu tha deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi gjatë një konference për media. Ai tha se problemet e fundit në organet më të larta të shtetit, janë kërcënim për të ardhmen e shtetit të së drejtës.

Gashi duke mos dashur të specifikojë emrat në të cilët aludon, tha se disa nga strukturat e Policisë së Kosovës janë mbushur me militantë partiakë dhe të strukturave ilegale partiake të PDK-se, të cilat veprojnë në interes të partisë dhe të grupeve kriminale.

“ Këta individë partiakë të futur në strukturat speciale të shtetit, shpesh përdorin institucionet e shtetit për shantazhe politike. LDK-ja kërkon që urgjentisht të largohen militantët partiakë dhe të funksionojë shteti i së drejtës, bazuar në profesionalizmin e njerëzve të devotshëm të Policisë së Kosovës”-shtoi më tej Gashi .

Për Lidhjen Demokratike të Kosovës shumë shqetësuese mbetet gjendja në fushën e drejtësisë, ku ditëve të fundit ka ndodhur edhe arrestimi i shefit të njësisë speciale të Task- Forcës për luftimin e korrupsionit  të krijuar nga kryeministri Thaçi.