Lajme Shqip Wednesday, 02 October 2013 13:10

 

Sektori i arsimit përbënë një pjesë të madhe të elektoratit në Kosovë. Këtë e ka shumë të qartë kryeministri Hashim Thaçi, i cili i ka përdorur ata vazhdimisht duke i joshur me rritje pagash dhe darka, në kompensim të votës.

 

Një gjë të tillë, Thaçi po e aplikon edhe në këto zgjedhje. Ai ka premtuar rritje pagash për sektorin e arsimit, e gjithashtu ka filluar edhe të shtrojë darka për ta. Këtë trend të zakonshëm paraelektoral po e nis me një komunë, të cilën deri dje e kishte bastion të fuqishëm. Bëhet fjalë për Malishevën e Fatmir Limajt, i cili për dallim nga zgjedhjet e më pashme, bashkëvendasve të tij po ua kërkon votën për një subjekt tjetër politik, për Iniciativën Qytetare për Malishevën.

 

E kjo ndarje e PDK-së në Malishevë, më së shumti e ka intriguar Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila po shpreson që të përfitojë nga rasti, për ta rikthyer këtë komunë, të cilën e kishte humbur pas mandatit të parë pas lufte.

 

LDK në Malishevë ka reaguar rreth njoftimit se kryeministri Thaçi do të shtojë darkë për mësimdhënësit e kësaj komune, duke i ftuar ata që të mos mashtrohen nga darkat elektorale.

 

“Ai tashmë ka filluar të shtroj darka për arsimtarë dhe të lëshoj shqelmat e fundit të humbjes së tij të sigurt me 3 nëntor. Një darkë të tillë për arsimtarë, sot planifikon ta shtroj edhe në Malishevë. Ne u bëmë thirrje arsimtarëve të Komunës së Malishevës që ta ruajnë dinjitetin e tyre të krijuar ndër vite dhe të bojkotojnë darkën elektorale të cilën po e shtron Thaçi sot në Malishevë. Thaçi e dinë mirë se është i padeshiruar në Malishevë, ai thjeshtë po përpiqet të mashtroj dhe manipuloj arsimtarët duke i kërcënuar ata me largim nga puna nëse nuk do të merrnin pjesë në këtë darkë” thuhet në njoftimin e LDK-së, dega në Malishevë. (LajmeShqip)