Lajme Shqip Tuesday, 26 July 2011 13:04

Prishtinë – Lidhja Demokratike e Kosovës, partia më e madhe opozitare, deklaroi se e ka ndjekur me vëmendje të thellë aksionin e mbrëmshëm të njësive speciale të Policisë së Kosovës, pas vendimit të Qeverisë, për të marrë nën kontroll Pikat kufitare 1 dhe 31, në Veri të vendit.

Në deklaratën zyrtare Lidhja Demokratike e Kosovës përkrah çdo veprim të institucioneve të Republikës së Kosovës, që ka mbështetje në Kushtetutën e vendit dhe që është në funksion të sundimit të ligjit.

Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh mbështetjen e plotë për Policinë e Kosovës dhe bën thirrje për asistencë edhe të institucioneve përgjegjëse ndërkombëtare me qëllim të kthimit të rendit dhe të ligjit në Veri të Kosovës.