Prishtinë – Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka vlerësuar Marrëveshjen politike për kapërcimin e krizës politike, me të cilën iu hap rrugë zgjedhjes së Presidentit të vendit.
Kryesia ka vlerësuar se LDK ka realizuar kërkesat e saj si parti opozitare dhe i ka kontribuuar stabilitetit politik e institucional, duke provuar edhe një herë se mbetet parti që determinon rrjedha të rëndësishme politike dhe institucionale në vend.
Po ashtu, në njoftimin për media bëhet e ditur se Kryesia ka miratuar nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit me Institutin Demokratik , që ka qëllim asistencën formale dhe profesionale për LDK-në si parti opozitare. LDK-ja e vlerëson bashkëpunimin e gjatë me NDI-në si të frytshëm dhe të nevojshëm për rritjen e kapaciteteve vepruese.
Kryesia ka diskutuar edhe për procesin zgjedhor në katër degët e saj: Gjakovë, Pejë, Obiliq dhe Shtime, ndërsa është vlerësuar se faza teknike dhe përcaktimi i dinamikës së procesit është përmbushur.
Kryesia vlerësoi se ky proces do të përmbyllet sipas dinamikës së përcaktuar dhe në limitet kohore që janë dhënë.
Ndryshe, pas marrëveshjes me PDK-në dhe AKR-në, lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar LDK-në, duke thënë se ia ka mundësuar PDK-së jetëgjatësinë në pushtet.