Lajme Shqip Wednesday, 27 July 2011 13:11

Prishtinë – Edhe subjektet politike të Kosovës i kanë përcjellë ngushëllimet e tyre për pjesëtarin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, që ndërroi jetë mbrëmë pas plagëve që mori nga snajperi serb, në operacionin në pikat kufitare 1 dhe 31, në veri të Kosovës.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Isa Mustafa, i dërgoi një telegram ngushëllimi familjes së pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, i cili ndërroi jetë mbrëmë, pasi ishte qëlluar me armë zjarri gjatë aksionit të Policisë së Kosovës për kthimin e rendit në pikat kufitare në veri të vendit.

Në telegramin e Mustafës thuhet se “Enver Zymberi ra në krye të detyrës, në betejën e shenjtë të ruajtjes së rendit kushtetues dhe të vënies së ligjit në çdo cep të Atdheut. Prandaj, jemi të bindur se shëmbëlltyra e tij njerëzore dhe përkushtimi i plotë profesional për kryerjen e detyrës do të kujtohen me nderim përgjithmonë nga qytetarët e Republikës së Kosovës, për lirinë dhe stabilitetin e të cilëve Enveri me vetëdije të lartë nacionale e shtetërore flijoi jetën e tij”.

Partia tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) i ka drejtuar telegram ngushëllimi Familjes Zymberi dhe të gjithë kolegëve të tij nga Policia e Kosovës.

“Me dhimbje e keqardhje të thellë morëm lajmin se ka ndërruar jetë pjesëtari i Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, pas plagëve të marra në operacionin e ditës së sotme në veri të vendit. AAK bashkëndjen dhe ndan dhimbjen me familjen e Enverit, kolegët e tij në Policinë e Kosovës dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, thuhet në telegramin e AAK-së.

“AAK e çmon guximin dhe sakrificën e policit Enver Zymberi dhe të të gjithë policëve të Kosovës, të cilët e kryen me nder, përkushtim e profesionalizëm detyrën e tyre. Polici Enver Zymberi do të kujtohet përherë me respekt, kurse rënia e tij do të mbahet mend si rënie nderi, në krye të detyrës në shërbim të atdheut”, përfundon telegrami i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. (LajmeShqip.com)