Lajme Shqip Thursday, 15 August 2013 17:12


Prishtinë – Lëvizja për Bashkim e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se është parti politike e pandershme sikur krejt të tjerat që për të ardhur në pushte nuk zgjedh mjete.
“Gjithashtu, LB konsideron se loja e deritashme e “qengjit të butë” nga Lëvizja Vetëvendosje! ndaj KQZ-së dhe shndërrimi në ujk tani kur pjesën dërrmuese të mjeteve i ka përvetësuar, është edhe një fakt se VV nuk është një organizatë e ndershme, siç përpiqet të paraqitet në opinion, por është një organizatë politike si shumë të tjera të cilat ajo vetë i akuzon, organizatë që për të arritur në pushtet nuk zgjedh mjete”, thuhet në reagimin e Lëvizjes për Bashkim, të cilën e udhëheq Avni Klinaku.
Lëvizja për Bashkim përsëri ka kërkuar që mjetet të cilat iu ndahen partive politike të mos i merr Lëvizja Vetëvendosje edhe për dy deputetët e saj.
Kjo deklaratë e LB’së vjen pas akuzave të Betim Gjoshit të PDK’së bërë Lëvizjes Vetëvendosje dhe JSL’së së Rada Trajkovicit se në mënyrë të paligjshme po i shfrytëzojnë` të gjitha mjetet për deputetë pavarësisht se disa prej tyre janë të ndarë.
“Megjithëkëtë, shkelja ka vazhduar, madje, me përkrahjen edhe të vetë përfaqësuesit të PDK-së në KQZ, z. Betim Gjoshi. Ne konsiderojmë se është fakt i pakontestueshëm që ndarja e mjeteve për Lëvizjen Vetëvendosje! dhe JSL-në, të cilat nuk janë regjistruar, por vetëm janë certifikuar si iniciativa qytetare, përbën shkelje të rëndë ligjore”, thuhet në reagimin e LB’së.
Sipas kësaj partie, reagimi i Betim Gjoshit në KQZ nuk është bërë për të vendosur rendin dhe ligjin, por për përfitime politike.
“Prandaj, sjellja e përfaqësuesit të PDK-së tregon qartë se motivi i denoncimit të këtij rasti nuk është evitimi i shkeljes së ligjit, por përfitimet në aspektin elektoral apo aspekte të tjera subjektive”, thuhet në reagimin e LB’së./Express/