Lajme Shqip Tuesday, 08 January 2013 18:58

Prishtinë – Lëvizja për Bashkim në Kosovë nuk e ka ndërmend të marrë një iniciativë të ngjashme me atë të Aleancës Kuq e Zi për të nisur proceduat në Komisionin Qendror Zgjedhor të Shqipërisë për organizimin e një referendumi për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë në një federatë shqiptare.

Kreu i LB-së, Avni Klinaku ka deklaruar për Telegrafin se aktualisht ka pengesa politike dhe kushtetuese për të realizuar një referendum edhe në Kosovë.

Klinaku ka deklaruar se Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet e nxjerra nga Pakoja e Ahtisaarit pamundësojnë referendumin. Ai vlerëson se kjo mund të bëhej në rast të ndryshimeve kushtetuese. Por, edhe për këtë dyshon.

“Edhe komisioni për ndryshimet kushtetuese i Kuvendit të Kosovës nuk ka bërë asgjë në këtë aspekt”, ka thënë Klinaku për Telegrafin.

Lëvizja për Bashkim është subjekt politik që ka dy deputetë në Kuvendin e Kosovës, ndërsa programi i saj partiak është i fokusuar në bashkimin kombëtar.(K.N/LajmeShqip.com)