Lajme Shqip Friday, 20 June 2014 21:56

 Menjëherë pas deklaratës së ministrit të Brendshëm Tahiri dhe Kreut të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi se Prokuroria e vendit po vepron ngadalë, organi reagoi duke shkuar në vendngjarje. Drejt Gjirokastrës u nisën prokurorë të Krimeve të Rënda, për të parë dhe hetuar nga afër situatën në Lazarat. Ndërkohë, mësohet se paraditen e sotme janë nisur dhe Drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda dhe Drejtori i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Lajmi bëhet i ditur nga Prokuroria e Përgjithshme, me anë të një deklarate për mediet. “Në Gjirokastër, gjatë paradites së të premtes, ka qenë prokurori i gatshëm dhe të gjithë oficerët e Policisë Gjyqësore. Menjëherë pas mbledhjes së përgjithshme të Prokurorëve, zhvilluar gjatë paradites së sotme, sipas një agjende të parashikuar më parë drejt Gjirokastrës janë nisur prokurorë të Krimeve të Rënda, përfshirë Drejtuesin e Prokurorisë për Krime të Rënda dhe Drejtori i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme”, thuhet në njoftimin për shtyp. Didi: Jemi në moment kritik, s’kemi mbështetjen e Prokurorisë Artan Didi, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, bëri me dije nga Lazarati se Prokuroria duhet të ishte e pranishme në këtë operacion për ti hetuar provat nga afër. Ai gjithashtu deklaroi se policia është e vendosur të realizojë objektivat e saj me goditjen e grupit kriminal dhe vënien e tyre para drejtësisë: “Operacioni vazhdon, policia është e vendosur të realizojë objektivat e saj, goditjen e grupit kriminal dhe vënien e tij para drejtësisë. Ne jemi të vendosur të çojmë deri në fund operacionin për të eliminuar armët që ndodhen në fshat, që janë të shumta”, tha Didi. Por Didi, theksoi se mungon mbështetja e organit të Prokurorisë dhe prania e saj në terren, aty ku janë provat e krimit: “Jemi në një moment kritik për sa i përket mbështetjes nga Prokuroria. Kur polica është në këmbë dhe populli po na ndjek, këtu ka prova kriminale, armatime predha e mortaja, bimë narkotike nëpër baçe e parcela, polica është lënë vetëm nga prokuroria. Prokuroria nuk po bashkëpunon në avancimin me mbledhjen e provave kriminale”, shtoi Didi. Gjithashtu Didi tha se në polici janë bërë disa shoqërime, ndërsa mohoi zërat se janë bastisur shtëpitë e lazaratësve nga policia. “Ka pasur shoqërime dhe procedime. Ka pasur familje që iu kanë dhënë bukë policëve me 2 deri 3 orë gjumë. Banorët të rrinë në banesat e tyre, nuk kanë pse largohen. Në konfidencë po ju them se nuk ka asnjë bastisje, edhe pse këtë duhet ta thotë prokuroria”, shtoi Didi. Operacioni i sotëm në Lazarat Gjatë ditës së sotme nga strukturat e Policisë së Shtetit deri në këto momente: – janë kontrolluar 105 ambiente të ndryshme (banesa, stane, magazine) në territorin e fshatit Lazarat. – janë gjetur e asgjësuar 7 ton e 448.7 kg marijuanë – janë gjetur e asgjësuar 25.870 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa – janë sekuestruar 32 armë zjarri automatikë e pushkë, – janë sekuestruar 4 pistoleta – janë sekuestruar 2 armë të vjetra -është sekuestruar 2 mitroloz dhe 1 antitank dhe 1 granatëhedhës -janë sekuestruar 29.750 fishekë, si dhe 9 arka me fishekë dhe 13 kaseta me fishekë – janë gjetur e sekuestruar 5 automjete me armatim e municion, si dhe 10 automjete bosh – janë sekuestruar 4 kuti predha granatëhedhësi, 3 granata, 4 kallëp tritol – janë sekuestruar 2 presa kanabisi Rezultatet në total Gjatë gjithë ditëve të operacionit të Policisë së Shtetit në fshatin Lazarat, është asgjësuar një sasi prej 23 ton e 404.1 kg kanabis sativa, si dhe rreth 81.300 rrënjë bimë narkotike dhe fidanë. Po ashtu janë gjetur 4 laboratorë nga të cilët 2 për përpunimin e bimëve narkotike dhe 2 për përpunimin e vajit të hashashit, si dhe sasi të konsiderueshme municioni dhe armë, nga të cilat 17 armë të rënda, si dhe 2 armë gjahu. Janë kontrolluar territoret e mbi 130 banesave. Janë arrestuar 15 persona të dyshuar për sulmet me armë ndaj forcave të policisë, për kultivimin kanabisi, prodhim e shitje të narkotikëve, kundërshtim të punonjësve të policisë, për shkatërrim prone apo mbajtje pa leje të armëve e municionit luftarak.