Lajme Shqip Sunday, 22 June 2014 11:54

Policia e Shtetit njoftoi se në kuadër të operacionit të ndërmarrë në fshatin Lazarat mbrëmjen e djeshme, janë ndaluar dhe arrestuar 3 shtetas të akuzuar për vrasje, prodhim e shitje të lëndëve narkotike, kultivim i bimëve narkotike, dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municionit.

 

Policia bëri të ditur për shtypin sot, se është ndaluar shtetasi Minush Asllan Brahimi, 21-vjeç, nga fshati Lazarat, pasi dyshohet se ka qëlluar më armë ndaj forcave të policisë gjatë operacionit të zhvilluar nga këto forca, gjatë kësaj jave. Ky shtetas është identifikuar të ketë hapur zjarr ndaj forcave të policisë në datat 15, 16, 17 dhe 18 qershor 2014.

 

Po ashtu bëhet me dije se është ndaluar shtetasi Laçe Zane Koli, 69-vjeç, banues në Lazarat, pasi akuzohet për veprat penale “prodhim e shitje e narkotikëve”, “kultivim i bimëve narkotike”, “mbajtje pa leje e armëve luftarake” dhe “mbajtje pa leje e armëve te gjahut”.

 

Strukturat e Policisë së Shtetit arrestuan gjithashtu shtetasin Gjirit Shaqo Malaj, 30-vjeç, banues në Lazarat, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në brendësi të banesës së tij,  janë gjetur e sekuestruar një sasi lëndësh narkotike, një sasi fishekësh dhe një tytë arme e prerë.

 

Materialet procedurale në ngarkim të tre personave, i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë për veprat penale prodhim e shitje e narkotikëve dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municionit.

 

 

Rezultate të operacionit në total

 

Deri në këto momente janë arrestuar 21 persona të dyshuar për sulmet me armë ndaj forcave të policisë, për kultivimin kanabisi, kundërshtim të punonjësve të policisë apo për shkatërrim prone. Strukturat e Policisë së Shtetit gjatë ditëve të zhvillimit të operacionit në Lazarat, kanë mundësuar asgjësimin e rreth 112.152 rrënjëve bimë narkotike dhe fidanë, si dhe të një sasie mbi 39 ton e 156.26 kg kanabis sativa.

 

Po ashtu gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe 5 laboratorë nga të cilët, 2 për përpunimin e bimëve narkotike dhe 3 për përpunimin e vajit të hashashit, si dhe 2 inkubatorë ku u sekuestruan 27 llampa për ngrohje.

 

Sasi të konsiderueshme municioni dhe armë:

–          98 armë zjarri automatikë e pushkë, 6 pistoleta, 2 snajper, 1 mitroloz kundërajror me gjithë shtrat, 7 mitrolozë, 2 antitank, 1 murtajë dhe 2 granatëhedhës, 2 armë të vjetra si dhe 3 armë gjahu.

–          janë gjetur e sekuestruar dhe 1 snajper i djegur dhe 7 armë të tjera të djegura si: 3 mitrolozë të rëndë, 1 mitroloz i lehtë, 2 automatikë dhe 1 pushkë të djegura

–          janë sekuestruar gjithashtu sasi të konsiderueshme municioni si: 72.497 fishekë të llojeve të ndryshme, 67 kallëp tritoli, 2 pako kapsolla detonatorë, 50 granata dhe një arkë me granata, 17 predha granatëhedhësi, 8 krëhra fishekësh, 2 kuti ndezësish, fitil zjarr-përcjellës.

–          1 kasafortë për të cilën do të bëhet këqyrja

–          dokumenta identitetesh të  ndryshme, një kartë të shtetësisë serbe, po kryhen  verifikimet.

–          në një tjetër ambient janë gjetur dhe uniforma policie.

–          janë bllokuar për këqyrje të mëtejshme 11 mjete të tjera me armë e kanabis brenda tyre, si dhe 10 automjete bosh.

–          janë bllokuar dhe 3 mjete të djegur (2 furgonë dhe 1 veturë) me kanabis si dhe 4 targa automjetesh.

–          janë sekuestruar 2 presa kanabisi.

 

Është ushtruar kontroll në territoret e mbi 413 banesave dhe një numri të konsiderueshëm ambientesh të tjera në brendësi të fshatit Lazarat, tokave përreth tyre dhe në tokat e komunës.