Lajme Shqip Thursday, 18 October 2012 12:30

Prishtinë (E plotësuar 18 tetor, 15:30)- Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan pak çaste më parë me shumicë votash Rezolutën për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Për të votuan 68 deputetë, nga 75 sa ishin të pranishëm, ndërkaq ishin kundër vetëm tre deputetë dhe katër abstenuan.

Debati për këtë dokument u përshkua nga polemika të ashpra ndërmjet deputetëve, në veçanti të atyre të Vetëvendosjes. Ndonëse edhe deputetë të LDK-së shfaqën rezerva ndaj nevojës për miratimin e një rezolute të tillë, votimi dëshmoi se ajo u votua edhe prej tyre. Madje, deputeti Sabri Hamiti e vuri në pikëpyetje qoftë edhe pajtimin e subjektit të tij që të jetë pjesë e grupeve sponsoruese (kryetari që ndodhet në Bukuresht me asnjë fjalë nuk na ka njoftuar se është pajtuar, e kishte fjalën për Isa Mustafën, sqarim ynë).

Ndërkaq deputetët e Vetëvendosjes ishin kundërshtar të vendosur të këtij dokumenti. Kur ajo u votua, dolën para foltore së Kuvendit me një transparent në të cilin shkruante “Rezolutë e nënshtrimit ndaj Serbisë”. Ndërkohë deputetët do të jenë në një pushim, për të vazhduar pasdite procedimin e pikëve të tjera të parapara me rendin e ditës.(LajmeShqip.com)

**********************************************

Largohet Policia, Kuvendi i Kosovës vazhdon seancën.

Prishtinë (E plotësuar 18 tetor, 12:30)- Kuvendi i Kosovës po vazhdon punimet pas një shtyrje diku një orëshe për shkak të pranisë së policëve brenda hapësirave të Kuvendit. Kërkesën për largimin e policëve e bëri kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili në fillim të seancës tha se nuk janë respektuar rregullat procedurale meqë nuk është kërkuar leje nga ai.

Krasniqi tha se nuk ka informata se kush i ka urdhëruar policët të qëndrojnë sot në Kuvend, por theksoi se ministrat nuk mund të japin urdhra të tillë pa respektuar rregullat. “Ky vend nuk ka nevojë për dhunë policore, as forcë policore e as shtet policor. Ky vend ka nevojë për drejtësi dhe drejtësinë nuk e bën Bajram Rexhepi që dëshiron ta burgos edhe presidentin, edhe kryetarin e Parlamentin dhe krejt. Kush ia dha atë të drejtë?”, tha ai.

Komenti i tij vjen një ditë pas përplasjeve ndërmjet aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe pjesëtarëve të njësive speciale të Policisë së Kosovës para ndërtesës së qeverisë. Protesta e lëvizjes kundër privatizimit të Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS) rezultoi me disa persona të lënduar e të arrestuar.

Urdhri për ndërhyrjen e policisë dhe largimin edhe të deputetëve të Vetëvendosjes u dha një ditë më parë nga vet ministri i brendshëm, Bajram Rexhepi. Në rend të ditës se seancës së sotme është dhe shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

****************************************

Kuvendi i rrethuar nga policia, Krasniqi ndërpret mbledhjen

Prishtinë – Mbledhja e sotshme e Kuvendit të Kosovës ka nisur në mënyrë të pazakonshme. Kryetari, Jakup Krasniqi, në vend me shpalimin e rendit të ditës, i  është drejtuar Qeverisë. “Dua të rikujtoj se në këtë vend pushtetet janë të ndara. Këtu sundon demokracia. Unë si kryetar dhe deputetët e Kuvendit s’jemi këtu për t’i duartrokitur policisë. Çfarë  lypë  policia në Kuvend. Me çfarë të drejte Kabineti qeveritar, ministri i  Brendshëm, urdhëron që ata të futen brenda pa lejen e kryetarit, të rrethojnë Kuvendin.

Unë jam këtu kryetar dhe jam për të drejtuar e urdhëruar. Kabineti qeveritar të mos i keqpërdor ata të rinj, policë, që janë për të mbrojtur rendin e demokracinë, dhe jo të keqpërdoren për interesat personale të ndokujt. Kjo ndërtesë shpesh në të kaluarën është rrethuar nga policë dhe deputetët janë detyruar të marrin vendime të rëndësishme jashtë saj, për të mbrojtur lirinë e demokracinë. Njerëzit kanë vuajtur nga dhjetë e më shumë vite burgim për vlerat e lirisë e demokracisë. Kemi vuajtur, por kemi mbrojtur dinjitetin. Humbës kanë dalë ata që kanë ushtruar dhunën.

Bajram Rexhepi, si ministër, që do  të burgos kryetarin e Kuvendit, Presidentin a kush e din kë, nuk guxon të sillet kështu. Ai nuk e bën drejtësinë.  Në këso rrethanash, me polici brenda e i rrethuar prej saj, Kuvendi s’mund të mbaj mbledhje. Do të mblidhemi pas një ore, pasi të largohet rrethimi policor”, tha kryeparlamentari Jakup Krasniqi.(LajmeShqip.com)