Lajme Shqip Monday, 17 September 2012 14:13

Prishtinë – Ligjvënësit shtynë për të enjten diskutimin për procesin e privatizimit në Kosovë.

Edhe pse i paraparë për sot debati për privatizim në Kosovë në seancën e Kuvendit të Kosovës, debati u shty për këtë të enjte. Shefi i grupit parlamentar të PDK-së Adem Grabovci kërkoi që debati për privatizim të shtyhet për seanca tjera për shkak të mos prezencës së kabinetit qeveritar në seancë.  “ Një pjesë e madhe e kabinetit qeverisës janë në udhëtime zyrtare dhe vlerësojmë se pa pjesëmarrjen e kryeministrit, ministrit, të paktën atyre përkatës, ky debat nuk do ta kishte rëndësinë që duhet ta ketë. Prandaj unë kërkojë me mirëkuptim që këtë seancë ta shtyjmë për një seancë tjetër..

Kërkesa e grupit parlamentar të PDK-së u refuzua nga opozita. Ismet Beqiri nga LDK-ja kërkoi mbetjen e kësaj teme në rend dite për diskutim.

 “ LDK-ja konsideron se shtyrja është e panevojshme debati është i domosdoshëm të mbahet”

Ndërkohë, iniciuesi i debatit për privatizim, Visar Ymeri nga Vetëvendosje shprehu çudinë me kërkesën e PDK-së, pasi që sipas tij, kjo çështje është diskutuar edhe në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit. Ymeri tha se mungesa e pjesës më të madhe të kabinetit qeveritar, është bërë me qëllim.

“Nuk kanë pasur interesim që të marrin pjesë në këtë seancë, madje madje duke se i kanë ikur qëllimisht kësaj seance dhe tash po kërkojnë që ta shtyjnë debatin në mënyrë që të përgatiten, prej 8 gushtit kanë pasur kohë që të përgatiten…

Të njejtën kërkesë, shprehu edhe AAK-ja, e cila akuzoi ministrin Besim Beqaj për mospjesëmarrje në seancë.

GP i AAK mendon se nuk ka arsye procedurale për tu shty debati- mospjesëmarrja e qeverisë e zbeh debatin.

Pas votimeve në favor të kërkesës së PDK-së, me 44 vota për dhe 41 kundër, debati u shty për seancën e ardhshme. Ndërkohë, në pjesën e parë të diskutimeve jashtë rendit të ditës, deputeti i PDK-së Halit Krasniqi, duke iu referuar zhvillimeve te fundit sa i përket implikimit të zyrtarëve të qeverisë në afera që dyshohen për korrupcion, ftoi kryeministrin të mendoj për ndryshime serioze në koalicionin qeverisës. Bazuar në përfshirjen e zv/kryeministrit Pacolli në rastin e privatizimit të hotelit Grand, Krasniqi kërkoi dorëheqjen e tij.

Ndërsa deputetja Alma Lama, duke iu referuar një materiali të publikuar ditë më parë për keqpërdorimet e mundshme në RTK, kërkoi formimin e një komisionit parlamentar të për hetuar këtë çështje.

Aktualisht deputetët po shqyrtojnë Raportin e Avokatit të Popullit, kurse në vazhdim do të shqyrtojnë edhe Raportin vjetor të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe Raportin vjetor të performancës me pasqyrat e audituara financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2011.(LajmeShqip.com)