Lajme Shqip Thursday, 03 May 2012 14:11

Tiranë (PLOTESUAR 15:00)- Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, mirëpriti sot miratimin e ligjit për gjykatat administrative nga Kuvendi i Shqipërisë.

“Ligji për gjykatat administrative, i miratuar nga Kuvendi, pritet të fuqizojë sistemin e drejtësisë në vend, të përmirësojë aksesin e qytetarëve dhe bizneseve në drejtësi, si dhe të mundësojë veprime procedurale dhe gjykime më të shpejta”, tha Wollfarth, duke shtuar se “të gjitha këto janë shumë të nevojshme për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit gjyqësor në vend”. (LajmeShqip.com)

***************************

Tiranë (PLOTESUAR 14:30)- Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës përshëndeti votimin e arritur sot në Kuvend për ngritjen e Gjykatës Administrative. “E miratuar me konsensusin e gjerë të forcave politike, për sipërmarrjen ky është një nga vendimet më të rëndësishme që merret nga ligjvënësit kuvendorë”, thekson përmes një deklarate për shtyp DHTI. 

Sipas saj, ngritja dhe funksionimi sa më parë i kësaj gjykate do të thotë marrje fund të zvarritjeve të vazhdueshme te biznesit, duke zgjidhur keshtu problemet administrative që ndesh në punën e përditshme. “Urojmë dhe shpresojmë që të jetë kjo linja e bashkëpunimit në politikë, në mënyrë që për sipërmarrjen të mos krijohen ngërçe artificiale”, thekson DHTI. (LajmeShqip.com)

***************************

Tiranë – Kuvendi miratoi sot me 122 vota pro, kur të pranishëm në sallë ishin 124 deputetë,  projektligjin “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative”, miratimi i të cilit kërkonte shumicë të cilësuar (84 vota).

Pas më shumë se 3 vitesh debatesh ky ligj mori konsensusin e palëve në komisionin e Ligjeve një javë më parë, dhe ky konsensus shoqëroi edhe miratimin e draftit në seancën e sotme plenare. (LajmeShqip.com)