Lajme Shqip Thursday, 15 March 2012 14:35

Prishtinë (PLOTESUAR 15 Mars, 17:20) Kuvendi i Kosovës miratoi të enjten një rezolutë, me anë të së cilës kundërshton dhe kërkon moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës. Rezoluta u prezantua nga subjekti më i madh në Parlament, Partia Demokratike e Kosovës, me mbështetjen e të gjitha grupeve parlamentare.

Rezoluta e cilëson vendimin e Kuvendit të Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve serbe edhe në Kosovë si shkelje të sovranitetit dhe cenim të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe kërkohet nga institucionet që të mos lejojnë mbajtjen e tyre.

Pas debatit, u miratua edhe rezoluta që kundërshton mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Teksti i Rezolutës është lexuar nga deputeti i PDK-së, Adem Grabovci.

“Theksojmë se është shkelje e sovranitetit dhe cenim i marrëdhënieve të mira fqinjësore që të organizojë në mënyrë të njëanshme zgjedhje të përgjithshme dhe lokale në një shtet tjetër evropian. Nën dy, konkludojmë që Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk lejon mbajtje të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë dhe Qeveria obligohet të realizojë këtë vendim”, lexoi tekstin e Rezolutës Grabovci.

Mirëpo, miratimi i rezolutës, nuk unifikoi qëndrimet e opozitës me Qeverinë edhe në lidhje me dialogun me Serbinë. Opozita akuzoi Qeverinë se përmes këtij dialogu po e përgatit terrenin për autonominë e veriut të Kosovës.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi ndërprerjen e dialogut. Ajo dha edhe një rekomandim për kryenegociatoren Edita Tahiri. Është momenti i fundit që Kosova ta kushtëzoj pjesëmarrjen e saj të mëtejme në këtë dialog me mosndërhyrje të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës.

Ndërkaq, nënkryetari i Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se Qeveria e Kosovës tashmë po e përgatit terrenin për autonominë e veriut të banuar me shumicë serbe.

“Me këtë qeveri në pushtet, vetëm një rezultat është i garantuar – e kjo është autonomia e veriut. Deri tash Qeveria u ka thënë jo negociatave për veriun, por nëse kjo ‘jo’, është sikurse jo e fusnotës, atëherë unë po them vaj halli për ne”, theksoi Konjufca.

Akuzave të opozitës iu kundërpërgjigj kryenegociatorja Edita Tahiri, e cila tha se marrëveshja e saj e fundit me Beogradin për përdorimin e fusnotës gjatë prezantimit të Kosovës në nisma rajonale, paraqet njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Me arritjen e kësaj marrëveshjeje, Qeveria e Republikës së Kosovës ka forcuar sovranitetin ndërkombëtar të shtetit tonë, ka avancuar interesat nacionale, ka respektuar rezolutën e Kuvendit të Kosovës dhe vijat e kuqe, si dhe i ka siguruar vendit perspektivën e qartë evropiane dhe euroatlantike”, tha Tahiri.

***********************

Prishtinë-Deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan në favor të miratimit të një rezolutë, me të cilën kundërshtohet mbajtja e zgjedhjeve të paralajmëruara serbe për 6 maj edhe në territorin e Kosovës. Për të votuan të gjithë deputetët e pranishëm, 75 nga 120, sa ka Kuvendi.

Paraprakisht, pas një debati të ashpër në mes deputetit Ismet Beiqiri me zëvendëskryeministren Edita Tahiri, deputetët e LDK -së braktisën mbledhjen. Kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, kërkoi sqarime plotësuese nga kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri, për dialogun me Serbinë. Por, kur Tahiri  refuzoi, LDK doli nga salla.

Për rezolutë  para mbledhjes ishin marrë vesh të gjitha grupet parlamentare, përveç grupit të Vetëvendosjes, e cila kishte vërejtje e kërkesa plotësuese. Ajo  shfaqi rezervat ndaj përmbajtjes jo përkatëse të saj. Po ashtu Vetëvendosje tha se në konsultimin e mëpastajmë rreth rezolutës ky grup parlamentar nuk ishte ftuar fare.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, edhe një herë ka përsëritur se nuk do të lejohet organizmi i zgjedhjeve të asnjë shteti tjetër brenda territorit të Kosovës. Sipas tij, për këtë ekziston një qëndrim unik i institucioneve shtetërore të Kosovës.

Reagimet e Thaçit kanë ardhur pas deklarimeve të opozitës se dialogu me Serbinë prej fillimit ishte politik dhe se po përgatitet që veriu të futet në agjendën e bisedimeve të ardhshme. Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, i ka sugjeruar Edita Tahirit që nga udhëtimi i saj i ardhshëm jashtë shtetit të mos kthehet fare pasi që po i sjellë vetëm fatkeqësi dhe dëme shtetit të Kosovës.

Edhe deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se vetëm një gjë është e sigurt nga qeverisja e Hashim Thaçit – autonomia e veriut, duke thënë se Qeveria po përgatitet fshehtas që të hyjë në bisedime për veriun. (LajmeShqip.com)