Lajme Shqip Thursday, 19 July 2012 13:30

Tiranë – Kuvendi miratoi sot me konsensus kodin e ri elektoral, me 127 vota pro, 2 kundër dhe 3 abstenime. Votën e tyre kundër e kanë shprehur ministri Mediu dhe deputeti Oketa, ndërsa kanë abstenuar 3 deputetët e LSI, Nasip Naco, Vangjel Tavo, Lefter Koka.

Drafti i saj u miratua me konsesus më 11 korrik nga dy forcat më të mëdha politike në vend, PD e PS. Pas shumë debatesh palët politike arritën kompromisin dhe për tre çështjet e mbetura pezull të reformës zgjedhore: riformatimi i KQZ-së, procesi ankimor dhe teknologjia e numërimit të votave në zgjedhjet e ardhshme. 

Kodi i ri zgjedhor do të aplikohet në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013, ndërsa zbatimi i tij do të nisë në shtator me formatimin e KQZ-së. Kreu prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, ambasadori i SHBA-së Alexandër Arvizu,ai i BE-së Etore Sequi marrin pjesë në seancën plenare. 

BERISHA: I VONUAR, POR NGA LIGJI NUK KA TË HUMBUR
Kryeministri Sali Berisha përgëzoi sot nga foltorja e Kuvendit konsensusin e arritur mes palëve për ndryshimet në Kodin zgjedhor. Ai deklaroi se sot “votohet me konsensus një nga ligjet më me rëndësi, ligji i zgjedhjeve, ligji elektoral. Ligj i cili adreson dhe i’u jep përgjigje një serie problemesh të evidentuara në testimin e ligjit të mëparshëm, edhe ai konsensual. Në dy provat e mëdha zgjedhore u evituan problematika që duheshin përsosur. Ky ligj adreson të gjitha rekomandimet e ekspertëve të shkëlqyer që punuan mbi këtë ligj”, tha ai.

Berisha u shpreh se, “Ligji është pak i vonuar, por më mirë vonë se sa kurrë. Miratimi mdodh10 muaj para zgjedhjeve të ardhshme. Me këtë ligj nuk ka të humbur, fitojnë të gjitha palët”, shtoi kryeministri. Berisha ftoi më tej palët të heqin dorë nga qëndrimet “ose e tëra ose asgjë”, sic tha ai.

BERISHA: NDAJ ALEATËVE DO JEM BESNIK
Berisha ka deklaruar më tej se i garanton aleatëve të tij politikë besnikëri, duke i udhëhequr drejt një fitore tjetër, sic tha ai.
“Po të kisha qenë në vendin e tyre ju garantoj se ligjërata po kaq të forta do mbaja ndaj Saliut e Ramës, por të gjithë ata që duan të lexojnë histori dashurie dhe tradhtie si në romane apo novela le të lexojnë historitë e Ramës me aleatët dhe pastaj të kthehen tek besnikëria e Berishës për aleatët”, tha ai.

GJIKNURI: TANI NË DORË E KA BERISHA
Bashkëkryetari socialist më komisionin parlamentar të reformës zgjedhore, Daminan Gjiknuri vlerësoi se ligjvënësit shqiptarë hedhin një hap pozitiv me miratimin e kodit zgjedhor, në organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Gjiknuri duke bërë një rezyme të tensionit dhe dhunës që shkaktuan zgjedhjet e mëparshme në vend, theksoi se opozita nuk i arriti të gjithë kërkesat e saj, por më ndryshimet e reja tashmë ka shpresë për përmirësim. 

“Sot shënohet hapi i parë që krijon shpresë, por nuk siguron triumf, shtrohet pyetja a kemi fituar më shumë me ketë ligj, unë them po. Adresuam pikat më të rëndësishme të rekomandimeve të OSBE. Opozita nuk i arriti të gjithë kërkesat e saj. I dhamë jetë një organi të ri, organit të administrimit të zgjedhjeve, që ajo që ndodhi mos të përsëritet dhe një trupë e re të ketë mundësi të përgatisë zgjedhjet. Kemi garantuar pjesëmarrjen në listat e zgjedhësve, duke zhdukur listat e manipuluara. Kemi arritur që rezultati të dalë në kohë. Kemi përmirësuar procesin ankimor, që cdo shkelës të mendojë mirë. Kemi llogaritur teknologjinë. Pyetja shtrohet a është gjtihcka që kërkoi opozita, jo pasi disa cështje mbeten varur”,- deklaroi Gjinknuri.

Sipas Gjiknurit, pika kyce tashmë mbetet tek një nga kriteret e Kopenhagenit, që është roli neutral i qeverisë, duke nënvizuar se dilema i takon kryeministrit nëse do ketë vullnet për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Dilema e madhe është, a do ketë vullnet Sali Berisha për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Berisha ka të drejtë kur thotë se qeveria do garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, por ai këtë nuk e thotë në aspketin politik. Vetëm nga zgjedhjet, shqiptarët do gjejnë zgjidhje. Sistemi mund të ketë padrejtësi, por për ne si opozitë nje ligj i mirë zgjedhor krijon premisa më të mira. Vendi ka nevojë për një ligj më të mirë dhe atë po e bëjmë sot. Pa zgjedhje të lira dhe të drejta vendi nuk do gjëjë paqe dhe progres”,- theksoi Gjiknuri.

MEDIU: KJO MARRËVESHJE PD-PS, DO VOTOJ KUNDËR
Kreu i PR-së, Fatmir Mediu deklaroi sot në Kuvend se Reforma Zgjedhore e sjellë për votim në Kuvend është një marrëveshje mes dy forcave kryesore politike dhe jo një reformë që garanton barazinë e votës. “Kjo është e 16-ta reformë zgjedhore në Shqipëri, e 16-ta marrëveshje PD-PS për të krijuar monopol në zgjedhje. Ajo duhet të garantojë pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje, por nuk e bën, prandaj unë deklaroj votën time kundër”, tha Mediu.

Kjo marrëveshje, tha ai më tej, “ nuk i jep të drejtë qytetarëve të vendosin për të ardhmen, nuk ka barazi në votë. Vota e qytetarit në Konispol nuk është e barabartë me votën e qytetarit në Tiranë apo Fier”, shtoi ai. 

DULE: PRO, POR KA HUMBUR BESIMI SE QEVERIA NDËRROHET ME VOTË
Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule duke deklaruar nga foltorja e Kuvendit votën pro ndryshimeve në kodin zgjedhor, vuri në dukje se ndryshimet nuk garantojnë barazinë e votës dhe përsërisin historinë e vjedhjes. Dule bëri thirrje për hartimin dhe rishikimit në të ardhmen të të gjithë kodit.

“E shikoj që skenari është planifikuar festiv. Për të mos qënë dhe unë mes atyre do them se do votoj pro ndryshimeve në kodin zgjedhor, do përshëndes kolegët e mij në komisionin e reformës, të cilët në një klimë kontraditore dhe konfliktuale arritën konsensus. DASH thotë se nuk ka shpresa që qeveria mund të ndërrohet me votë. A ka dikë që mund të na japë garanci që në Shqipëri qytetari me votën e tij mund të ndryshojë qeverinë? Kam një pyetje, skenarin festiv kush do e organizojë pas zgjedhjeve? Zgjedhjet mund të jenë në të gjitha aspektet të drejta të barabarta, por nga produkti i tyre prodhojnë pabarazi. Marrëveshja e arritur është kompromis, por larg stadarteve të zgjedhjeve të lira dhe të barabarta. Më thoni a nuk e zgjodhëm Ristanin me konsensus, a nuk votuam me konsesnsu ndryshimet e 2009, por përjetuam të njëjtën atmosferë? Nuk ka garanci që zgjedhjet e ardhshme do të jenë të njëjta. Kreu i PS i priste nga kryeministri, ndaj është momenti ta mbyllim propozimet që na sjell komisioni, por nuk do kemi bërë asgjë nëse me sinqeritein më të madh nuk i hymë një reforme zgjedhore të mirëfilltë që garanton votën”,- deklaroi Dule. (LajmeShqip.com)