Lajme Shqip Wednesday, 23 April 2014 19:16

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 89 vota për, 22 kundër dhe 2 abstenime, ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhe themelimin e Gjykatës Speciale, e cila do të trajtoj krimet e pretenduara të UÇK-së, sipas raportit të Dick Martyt. Ky projektligj u përkrah edhe nga partitë opozitare, përveç Vetëvendosjes.

Shefat e grupeve parlamentare thanë se e përkrahin ratifikimin e kësaj marrëveshje që mundëson themelimin e Gjykatës Speciale, duke qenë se do të ishte e dëmshme nëse një Gjykatë të tillë do ta themelonte OKB-ja.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në paraqitjen e këtij projektligji, tha se kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës për të themeluar një Gjykatë Speciale e cila do të trajtoj ndonjë akuzë të mundshme e cila do të mund të rezultojë nga hetimet e Task Forcës Speciale Hetuese e themeluar nga Bashkimit Evropian, për të adresuar pretendimet e dala nga Raporti i Dick Martit, është padrejtësia dhe fyerja më e madhe që mund t’i bëhet shtetit të Kosovës dhe shoqërisë kosovare.

“Tani institucionet e Kosovës janë të ballafaquara me një imponim krejtësisht jo të ndershëm dhe jo të drejtë nga bashkësia ndërkombëtare. Kërkohet nga ne të nxjerrim ligje të veçanta, bile të ndërrojmë edhe Kushtetutën e Kosovës, vetëm e vetëm që të mundësojmë krijimin e një Gjykate Speciale e cila do të gjykoj ndonjë rast të mundshëm i cili mund të rezultojë nga hetimi i SIFT lidhur me pretendimet e Dick Martit. Është një gjë shumë e vështirë, e cila do të rëndoj në ndërgjegjen tonë derisa të jemi gjallë. Por ndërgjegjja e jonë do të mbetet e njollosur në rast se ne nuk i japim përgjigje adekuate kërkesës së BE-së dhe SHBA-së për themelimin e Gjykatës Speciale për të trajtuar pretendimet për pretendimet e ngritura të Raportit të Dick Martit i miratuar nga Këshilli i Evropës në vitin 2010”, tha kryeministri Thaçi.

Kreu i qeverisë, megjithatë, tha se duhet ta kalojnë këtë sfidë të padrejtë të radhës.

“Duhet ta pastrojmë emrin e Kosovës nga pretendimet e bëra të padrejta në Raportin e Dick Martit, dhe nuk kemi shumë opsione. Në fakt, kemi vetëm një opsion dhe ai është që të bashkëpunojmë ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian, NATO-n dhe ta formojmë këtë Gjykatë Speciale e cila do të jetë nën juridiksionin e Kosovës, dhe një seli do ta ketë në Kosovë dhe një tjetër jashtë Kosovës, ku do të zhvillohen procedura të ndjeshme që ndërlidhën me dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtur. Ky është opsioni i vetëm, i cili është shumë i vështirë, por ky opsion na mundëson që Gjykata të funksionoj me ligjet e Kosovës dhe në partneritet me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Opsioni i dytë, të nderuar deputetë, qytetarë të Republikës së Kosovà «s, të cilin nuk duhet as ta marrim në konsiderim fare është ai, që ne ta refuzojmë themelimin e kësaj Gjykate. Refuzimi i themelimit të gjykatës nga Kuvendi i Kosovës përpos që do të forconte dyshimet se Kosova po pretendon të pengoj dhe fshehë verifikimin e pretendimeve që përmban raporti, kjo do të kishte pasoja tjera të rënda politike për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, tha me tej ai.

Ndërsa, kritikat e opozitës se kërkesa për themelimin e Gjykatës Speciale është si rrjedhojë e dështimeve eventuale të qeverisë së Kosovës apo edhe sistemit të drejtësisë në Kosovë, Thaçi i ka quajtur paushalle, dhe pashije, të paqëndrueshme, të padrejta, shumë të ulëta, jo morale dhe krejt në kuptim elektoral prej kujtdo që vijnë. Madje, sipas Thaçit, edhe ata që e thonë një gjë të tillë e dinë shumë mirë që kjo nuk është e vërtetë, mirëpo paturpësisht e thonë një gjë të tillë duke pretenduar të fitojnë një grusht votash më shumë.

Kreu i ekzekutivit, ka kritikuar edhe Kuvendin, duke thënë se Qeveria e Kosovës, ka marrë këtë vendim dhe Gjykata Kushtetuese ka kthyer rekomandimet e veta, tani atyre u takon të marrin vendimin për themelimin e Ushtrisë, dhe se Kuvendit po i mungon kurajo për të marrë vendimin për themelimin e Ushtrisë, Forcave të Armatosura të Kosovës.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje ishte më e zëshmja kundër krijimit të Gjykatës Speciale, duke thënë se po bëhet si pasoj e shantazhit ndaj kryeministrit.

Madje, kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti tha se kryeministri Hashim Thaçi, po kërkon themelimin e kësaj gjykate, sepse e ka siguruar vetën se nuk do të ndiqet penalisht, por shokët e tij të ndiqen penalisht.

“Tribunali apo Gjykatë e Veçantë, nuk bëhet sikur ky kryeministër të mos donte që të bëhej. Por Thaçi po e lejon Tribuinalin sepse beson se ai vet nuk do të përfundoj aty. Nëse ka ndonjë mik ndërkombëtarë që mund t’i ndihmoj Kosovës, do ta bënte këtë duke i treguar kryeministrit se edhe ky vet do të përfundoj aty, se po t’i thuhet këtij kryeministri se edhe ky vet do të përfundoj aty, s’ka tribunal. Por shpresa e tij që ky vet nuk përfundon por shokët e tij shkojnë, thotë se e kemi një sfidë të madhe që duhet t’i përgjigjemi me përgjegjësi. Kjo është edhe e dukëshme, përveç se e padrejtë”, tha Kurti.

Rreth misionit të EULEX-it dhe themelimit të gjykatës speciale, deputeti Fatmir Limaj tha se nuk ka asnjë vend në ish Jugosllavi që ka dëshmuar sikur Kosova, që është e gatshme për t’u ballafaquar me çfarëdo pretendimi, supozimi për krime të luftës. Madje, Limaj tha se ai personalisht kurrë nuk mund të votojë kundër një gjykate e cila heton dhe ka për qëllim procedimin e krimeve të Luftës, por jo në mënyrë selektive.

“Por krimi nuk mund të gjykohet selektivisht, nuk mund të ndiqet selektivisht. Prandaj si përfundim unë dua të them që unë jam për vazhdimin e Misionit të EULEX-it, që është shumë me rëndësi për Kosovën dhe duhet të vazhdohet ky mision dhe unë do të jem gjithmonë pro një gjykate e cila do të gjykonte krimet e kryera në Kosovë në tërësi pavarësisht nacionalitetit. Një Gjykatë e cila do të ishte e verbër nga përkatësia nacionale e atyre që supozojnë se kanë kryer krime”, tha Limaj.

Me tej Limaj tha se nëse vërtet duan t’i ndihmojnë këtij rajoni dhe Kosovës posaçërisht shumicës shqiptare, në Kosovë më shumë se për këtë ka nevojë për një gjykatë tjetër, gjykatës profesionist, prokuror profesionist të cilët do ta ndërtojnë një dhomë të gjykatës së veçantë për krim të organizuar dhe korrupsionit që është shkaktuar në këtë vend.

Ndërsa, deputeti i PDK-së, Arsim Bajrami tha se letërkëmbimi mes presidentes Jahjaga dhe baroneshës Catherinë Ashton, ka elemente antikushtetuese dhe që e rëndojnë rendin kushtetues të Kosovës.

“Ne kemi kaluar nga tipi i një shteti me mbikëqyrje ndërkombëtare në një shtet të pavarësisë së plotë, por disa kërkesa, që janë brenda letrës janë kërkesa që e kthejnë statusin mbrapa dhe e rëndojnë rendin kushtetues të Kosovës. Brenda letrës e keni një kërkesë që edhe më herët kryetari i Gjykatës Kushtetuese e ka kërkuar, jo prej Kuvendit por prej BE-së, dhe ajo kërkesë është edhe brena letrës së presidentes me të cilën kërkohet vazhdimi i prezencës së ndërkombëtarëve në Gjykatën Kushtetuese”, tha Bajrami.

Edhe deputeti tjetër i PDK-së, Hydajet Hyseni, ka kundërshtuar procedurat e miratimit të marrëveshjes së presidentes që e ka bërë me BE-në, duke e cilësuar atë si shkelje të kushtetutës. Hyseni tha se do të duhej të respektonte kushtetutën, duke theksuar se nëse ata legjitimojnë shkeljen e kushtetutës dhe ligjeve ata rrënojnë bazën e sistemit që e kanë ndërtuar për të gjithë të ardhmen e Kosovës.

Ndërsa, edhe deputeti i Vetëvendosjes, ish anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi tha se pas gjithë asaj që ka bërë Serbia, sot Serbia shkon drejt BE-së, Kosova shkon drejt gjykat ores.

“Përnjëmend është e padrejtë, është padrejtësi. Pra ne e dimë po ashtu që njëkohësisht edhe Kosova nuk ka prodhuar drejtësi nga brenda, por mungesa e drejtësisë nga brenda nuk do duhej të vinte si padrejtësi nga jashtë. Pra nuk do duhej që mungesa e drejtësisë për shkaqe krejt politike brenda, të zëvendësohej me një padrejtësi nga jashtë”, u shpreh Selimi.

Kuvendi aktualisht po shqyrton në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Republikën e Kosovës./RTK/