Lajme Shqip Wednesday, 06 April 2011 16:11

Prishtinë – Zgjedhja e presidentit të Kosovës duke shkelur dispozitat kushtetuese, vendimi për shitjen e PTK-së në mënyrë të kundërligjshme dhe zgjedhja e deputetit Fitim Damka si anëtarë i Komisionit Qendror për regjistrimin e popullsisë, janë shkeljet e radhës me të cilat është ballafaquar Kuvendi i Republikës së Kosovës në vetëm një muaj e gjysmë pune sa ka nga përbërja e re.

Këto të dhëna janë publikuar në raportin tremujor të monitorimit të punës së Kuvendit të Kosovës për periudhën shkurt- mars 2011 nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Njëri nga zyrtarët e KDI-së, Besnik Ramadani ka ftuar Kuvendin që të marrë parasysh sugjerimet e partive politike dhe të mos u jep prioritet interesave partiake kur kemi të bëjmë me çështje të interesit nacional.

Derisa vendi tani ka hyrë në krizë politike dhe po bëhen përpjekje për të gjetur një zgjidhje, nga KDI edhe një herë është ritheksuar nevoja e domosdoshme për ndryshim të Ligjit zgjedhor.

Ramadani tha se nuk mund të shkohet në zgjedhje të reja pa reformimin të duhur të sistemit zgjedhor.

Ndërkaq krahas verifikimit të shkeljeve që janë bërë gjatë punës së Kuvendit të Kosovës, KDI vlerëson se gjatë monitorimit kanë vërejtur edhe zhvillimev pozitive, siç është zvogëlimi i numrit të komisioneve parlamentare.

Ndër të tjera, KDI ka vlerësuar se sa i përket transparencës së Kuvendit, edhe ky fillim mandat i kësaj legjislature nuk ka reflektuar me ndonjë ndryshim, duke pasur parasysh faktin që disa komisione parlamentare mbajtjen e mbledhjeve e kanë filluar pa publikimin e tyre në uebfaqen zyrtare të këtij institucioni.