Lajme Shqip Saturday, 10 December 2011 09:20

Prishtinë – Kuvendi i Kosovës me një seancë solemne sot shënon 10-vjetorin e punës në periudhën e pasluftës së para mëse 12 viteve.

Deputetëve me një fjalë rasti do t’u drejtohet kryetari i Kuvendit të Republikë së Kosovës, Jakup Krasniqi. Pas seancës organizohet pritje për deputetët e të gjitha legjislaturave, për korin diplomatik në Prishtinë dhe të ftuar të tjerë.

Të parat nga katër palë zgjedhjet e deritashme parlamentare në Kosovën e lirë u mbajtën në 17 nëntor 2001.

Kosova u shpall shtet i pavarur në seancën e jashtëzakonshme dhe solemne historike të Kuvendit më 17 shkurt 2008 nga deputetët e periudhës së tretë legjislative.  Dhe po atë vit, më 9 prill Kuvendi miratoi Kushtetutën e Republikës, e cila hyri në fuqi pak më shumë se dy muaj më vonë, më 15 qershor.

Për 10 dhjetorin 2011, të 10-vjetorit të Kuvendit të Kosovës së lirë janë paralajmëruar edhe veprimtari të tjera.

Më 10 dhjetor 2001 është  mbajt seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, të cilën fillimisht e drejtonte shefi i atëhershëm i UNMIK-ut Hans Haekerup, deri në zgjedhjen e kryetarit akademik Nexhat Daci  dhe Kryesisë së Kuvendit.

Kryetari i porsazgjedhur i Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci mbajti një fjalën inauguruese, në të cilën theksonte se do të punonte për të arritur një unitet, siç shprehej ai, “një unitet në diversitet”.

Kuvendi i Kosovës i zgjedhjeve të para parlamentare të pasluftës, të 17 nëntorit 2001, në seancën solemne plenare të 4 marsit 2002 zgjodhi edhe institucionet e tjera të vendit, President Dr. Ibrahim Rugovën e kryeministër Bajram Rexhepin.

“Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?'”, theksonte Rugova i sapo inaguruar President, në vendin e lirë, në vendin që e udhëhoqi edhe në kohët më të vështira me idenë e idealin e lirisë, pavarësisë e demokracisë.

Me rastin e 10 vjetorit të Kuvendit të Kosovës ka uruar Presidentja Jahjaga duke theksuar se “Kuvendi i Kosovës është institucioni kryesor i ndërtimit dhe i harmonizimit të politikave dhe puna e tij në kontrollin demokratik të qeverisjes është shumë domethënës në ndarjen e pushteteve dhe në respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë”.