Prishtinë – Me shumicë votash, Kuvendi i Kosovës ka miratuar mocionin e Lëvizjes Vetëvendosje për marrjen e masave të reciprocitetit në raport me mallrat e Serbisë.
Mocioni është miratuar pas një debati rreth çështjes së masave të reciprocitetit me Serbinë, që ishin vendosur më 20 korrik të këtij vitit si kundërpërgjigje ndaj bllokadës që Serbia u kishte vendosur mallërave nga Kosova.
Parashtruesi i kërkesës Visar Ymeri lexoi tri pikat e mocionit, të cilat më pas u miratuan me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm në sallë.
“Pika 1: qeveria të marrë masat e reciprocitetit të plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë. Pika 2: Ministria e Tregëtisë dhe Industrisë të nxisë dhe udhëheqë bashkëpunimin me prodhuesit vendor dhe ndërmarrjet tregtare për gjetjen e zëvendësimeve për produktet e importuara nga Serbia dhe pika 3: qeveria të forcojë të gjitha mekanizmat shtetëror për të siguruar zbatimin e përpikt të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë,” tha Ymeri duke lexuar pikat e mocionit.
Ky mocion u miratua me 44 vota për, 33 kundër dhe 2 deputet që abstenuan.
Ky ishte një prej rasteve të rralla kur opozita ia del që të miratoj një nismë, duke siguruar shumicën në Kuvend.