Lajme Shqip Wednesday, 15 February 2012 14:02

Prishtinë (PLOTESUAR, 15 shkurt, 17:30) Kuvendi i Republikës së Kosovës e shpall të paligjshëm e të pavlefshëm referendumin serb kundër Kosovës në katër komuna veriore me drejtues zgjedhjesh të organizuara nga Beogradi.

Në një deklaratë të miratuar pak më parë theksohet mes tjerash se “Kuvendi i Republikës së Kosovës e kundërshton, e shpallë të paligjshëm e të pavlefshëm referendumin e strukturave paralele në komunat veriake të Kosovës të financuaara e drejtuara nga Republika e Serbisë kundër pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës”.

Pro deklaratës është deklaruar edhe grupi parlamentar i Partisë Liberale të Pavarur (SLS), nga komuniteti serb.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasnqi  pas votimit konstatoi se deklarata u miratua me 64 vota për, asnjë kundër e 9 abstenime.  Në komentet e tij gjatë seancës së Kuvendit, para votimit, kryeparlamentari Krasniqi për strukturat paralele serbe në veri tha se “emri i tyre i vërtetë është agresion i Serbisë në një pjesë të territorit të Republikës së Kosovës.”

Gjatë debatit abstenimi në votim u paralajmërua nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili kërkonte edhe disa plotësime në deklaratë, përfshirë zotimet dhe veprimet për sanimin e pasojave që mund të ketë referendumi.

Qeveria e Republikës së Kosovës dje në një dekleratë shprehte zhgenjimin dhe revoltën e saj të thellë për aktin e fundit të Serbisë lidhur me organizimin dhe mbajtjen e referendumit në pjesën veriore të vendit.

Qeveria theksonte se “ky akt ilegal i cili do të prodhojë një rezultat ilegal dhe të papranueshëm, në menyrë të drejtëpërdrejtë cenon sovranitetin shtetror të Republikës së Kosovës. Po ashtu, ky veprim ilegal i Serbisë është  në kundërshtim më Kushtetutën tonë dhe të drejtën ndërkombëtare. Për me tepër, ky akt i fundit i Serbisë kundër Kosovës, dëshmon qartë ambiciet e sëmuara dhe pretendimet territoriale të Serbisë në raport me Kosovën”.

Referendumi serb “i deklarimit të qytetarëve se a i pranojnë institucionet e Kosovës”,  i cili u zhvillua dje dhe sot pason kundërshtimin e institucioneve legjitime kosovare atje edhe me barrikadat nëpër rrugë.

Shqiptarët në veri qëndrojnë të distancuar dhe larg këtij provokimi më të ri.

Reagime të ndyshme kosovare dhe ndërkombtare janë shprehur edhe kundër barrikadave e edhe kundir referendumit në veri.

Ndërsa, një drejtues i strukturave ilegale serbe në veri ka deklaruar për median lokale serbe se referendumi në veriun e Kosovës qenka “dita më e rëndësishme në 100 vitet e fundit të historisë kosovare”.

“Referendum nën kërcënim”, ishte një nga titujt në shtypin e sotëm kosovar, ku thuhej se “është raportuar se radikalët serbë të veriut nuk kanë qenë të kënaqur me pjesëmarrjen e qytetarëve serbë në referendum, prandaj edhe kanë kërcënuar banorët e atjeshëm se nëse nuk i përgjigjen pozitivisht thirrjes, atëherë nuk do t’i marrin pagat nga qeveria beogradase”.

**********************

Prishtinë- Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar të nxirret një deklaratë e përbashkët  në seancën e stome të Kuvendit të Kosovës për të kundërshtuar mbajtjen e referendumit në veri të Kosovës. 

Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Adem Grabovci ka thënë se ky referendum është kundërshtuar nga të gjithë, si nga institucionet e vendit ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar.

“Ne jemi dëshmitar që dje ka ndodhur një ngjarje në veri të vendit. Mbajtja e një referendumi ilegal, siç është vlerësuar dhe siç është realitet edhe i kundërshtuar nga gjithë faktori ndërkombëtar, por edhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës”-është shprehur ai.

Ndërsa gjatë seancës, deputetja Hykmete Bajrami në emër të LDK-së  ka kriktikuar qeverinë se po abuzon me ligjin për buxhetin e republikës sidomos sa i përket rrugëve  dhe me komunat që udhëheqë LDK-ja, Podujvën dhe Prishtinën. Ajo tha se tashmë ekziston një dokument  që buxheti i vendit të pësoi ndryshime në rreth 50 projekte buxhetore.

Në seancën e  sotme gjithashtu deputetët që vijnë nga komuna e Dragashit kanë falënderuar institucionet, FSK-në dhe popullin e Kosovës për mbështetjen që kanë dhënë me rastin e tragjedisë së Restelicës, ku nga orteku i borës humbën jetën 10 anëtarë të familjes Reka.