Lajme Shqip Thursday, 11 October 2012 12:04

Prishtinë – Me 53 vota kundër, 45 për dhe 3 abstenime, Kuvendi i Kosovës nuk miratoi sot mocionin e Vetëvendosjes dhe partive opozitare, LDK-së dhe AAK-së, kundër procesit të privatizimit.

Mocioni i Vetëvendosjes dhe partive opozitare kundër privatizimit të ndërmarrjeve publike në Kosovë, nuk merr mbështetjen e Kuvendit.

Ndonëse në rend dite, krahas mocionit ishte futur edhe rezoluta e partisë në pushtet, pro privatizimit, ajo u kundërshtua nga iniciuesi i debatit të privatizimit, kryetari i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri. Ymeri kërkoi që të votohet vetëm mocioni i Vetqëvendosjes dhe partive opozitare, duke theksuar se kur është debatuar për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, Vetëvendosje kishte paraqitur një rezolutë alternative, që nuk ishte hedhur në votim, për shkak të respektimit të rregullores. Por kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, tha se janë për respektimin e procedurave, por kërkoi që të votohen të dy dokumentet, duke thënë se vendimi për këtë është marrë në kryesi të Kuvendit.

Duke replikuar Visar Ymeri tha se në bazë të rregullores nuk mund të jenë dy mocione, dhe se rregullorja nuk duhet të shkelet për shkak të transkriptit të Kryesisë. Por Grabovci insistoi që të votohen të dy dokumentet, duke theksuar se asnjëri nuk është paraqitur me kohë.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se pavarësisht që për privatizimin është diskutuar mbi kërkesën e grupit të VV, dhe për rezolutën nuk është diskutuar, kryesia në mbledhje u ka dhënë hapësirë të dyja dokumenteve.

Hydajet Hyseni nga PDK-ja, propozoi që të harmonizohen qëndrimet për aq sa është e mundur, që të dilet me një qëndrim unik, se mund të krijohet huti. Por zëvendëskryeministri Hajredin Kuci, tha se të dy dokumentet e kanë bazën e njëjtë juridike, dhe që debati ose duhet të përfundojë pa rezolutë ose të vihen të dyja në votim.

Por Visar Ymeri ritheksoi se në rregullore përcaktohet qartë kush ka të drejtë për mocion, dhe se PDK-ja nuk ka të drejtë. Pas këtij debati, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, hodhi nevotim mocionin e Vetvendosjes dhe tha se nwse nuk shkon e para, nuk ka nevojë e dyta.

Dhe me 53 vota kundër, 45 për dhe 3 abstenime, nuk u miratua mocioni i Vetëvendosjes dhe partive opozitare, LDK-së dhe AAK-së, kundër procesit të privatizimit. (LajmeShqip.com)