Lajme Shqip Thursday, 06 September 2012 14:10

Tiranë – “Kombi në këtë 100 vjetor pa Nënë Terezën do të ishte jetim, sot duke nderuar atë është krenar për vajzën, gruan, nënën që i dha mbarë njerëzit”, tha Kryeministri Sali Berisha në seancën homazh të 15 vjetorit të vdekjes të humanistes së shquar shqiptare, Nënë Tereza, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

“Pas Shën Marisë, Nënë Tereza është dhe mbetet gruaja më e njohur, më e dashur, më njerëzore, më fisnike  e krishtërimit dhe njerëzimit. Ndaj dhe falenderimi i parë  është për Zotin që i dha kombit dhe njerëzimit në shekullin e 20, një simbol kaq të fuqishëm të moralit njerëzor, të përkushtimit njerëzor, të dashurisë njerëzore”, u shpreh Berisha.
Kryeministri u shpreh se në këtë 15 vjetor të ndarjes së saj nga jeta dhe kalimit në përjetësi, çdo shqiptar përulet para saj me nderimin më të madh.

“Kur hedh sytë në 100 vitet e fundit, por dhe në shumë shekuj, gjen dritën e saj, gjen nderin e madh që ajo i bëri nënës shqiptare, motrës shqiptare, që i bëri njeriut dhe njerëzimit në tërësi. Ndaj dhe le t’i themi asaj me gjithë zemër: faleminderit Nënë Tereza. Na dhe nder kur vuanim për të, kur nuk e kishim, kur në botë nga një regjim barbar përcillnim lajmet më të përçudnuara, më poshtëruese, kur në një histeri të paparë rrënonim kisha e tempuj e libra të shenjta, t’i qëndrojë si dëshmitare  e shpirtit të këtij kombi, i vlerave shpirtërore të mëdha të këtij kombi”, tha Berisha.

Kryeministri Berisha theksoi se Nënë Tereza nuk e mohoi kurrë vendin e saj, por “në çdo minutë, në çdo orë, çdo ditë, kudo shfaqeshe krenare me nënën tënde, me familjen tënde, babin tënd, kombin tend”. 

Berisha u ndal në veprimtarinë humane të Nënë Terezës në Kalkutë, duke u shprehur se “Nënë Tereza nuk mund të ishte askund në planet. Siç ua çoi Zoti shqiptarëve për t’u bërë simbol i shpirtit të tyre, e çoi atë në Kalkuta për t’u përballur në vendin më të vështirë me dhimbjen, sakrificën njerëzore”.(LajmeShqip.com)