Lajme Shqip Saturday, 26 March 2011 18:11

Tiranë – Zëdhënësja e Kuvendit të Shqipërisë, Suela Ruseti, përgënjështroi sot deklaraten e selisë rozë, lidhur ndërtimin e Kompleksit të ri Parlamentar.

Në një deklaratë për mediat, Ruseti tha se “konkursi i Kompleksit Parlamentar ka qenë konkursi më i hapur, më publik dhe më transparent i të gjitha ndërtimeve, që janë  bërë në vendin tonë”.

Zëdhënësja e Kuvendit theksoi se “deklarata e Edi Ramës është një gënjeshtër në çdo fjali dhe shifër të saj pasi ai gënjen për gjithçka në lidhje me rikonstruksionin e sallës së seancave plenare, për apartamentin, reklamat dhe për votimin në internet”.

Sipas saj, në konkurs u ftuan studiot më të mira Ndërkombëtare, që paraqitën projektet e tyre si studiot më autoritare të arkitekturës Botërore pa përjashtuar asnjë.

Duke theksuar se “fituesi i çmimit të parë, Ëlfgang Prix është ylli i arkitekturës botërore”, Ruseti shtoi se “Edi Rama përpiqet të përbaltë konkurrimin më të hapur, më transparent, të vizituar masivisht nga një numër i madh shqiptarësh”.

“Nuk ka patur ndonjëherë  një juri  të personaliteteve të këtij kalibri pa folur për kryetarin e Jurisë, Hans Ibelings, maja e kritikës arkitekturore botërore si dhe pjesëmarrje kaq të madhe  në vlerësimin e projekteve  për Kompleksin e ri Parlamentar”, deklaroi Ruseti.

Sipas saj, transparenca e plotë e bëri që të zgjidhej më e mira, siç e  meriton celebrimi i 100-vjetorit të themelimit te Shtetit Shqiptar.

“Kryetarja e Kuvendit sqaron se nëse do t’i kishte shkuar ndonjëherë në mendje të abuzonte me fondet publike, duke trukuar konkurse, apo sajuar konkurime, do të kishte vendosur të merrte teserën e Partisë Socialiste dhe të drejtonte Bashkinë e Tiranës. Kuvendi i Shqipërisë nuk është Bashkia e Tiranës, është modeli krejt i kundërt i saj”, përfundoi deklaratën zëdhënësja e Kuvendit, Suela Ruseti.

Sot, gjatë një prononcimi për mediat, deputeti i PS-së, Taulant Balla akuzoi kryeparlamentaren se “për ndërtimin e  Kompleksit të ri Parlamentar po shpërdoron fondet e qytetarëve shqiptarë”.