Lajme Shqip Thursday, 28 July 2011 12:30

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, që po zhvillohet tani lidhur me ngjarjet në veri të vendit, se do të kthejmë rendin dhe ligjin në veri me çdo çmim dhe nuk do bëjmë asnjë hap mbrapa.

“Masat e reciprocitetit me Serbinë do të instalohen dhe zbatohen në të gjitha pikat kufitare me Serbinë dhe kjo do të zgjasë derisa Serbia nuk e ndryshon qëndrimin e saj”, tha Thaçi, duke siguruar se nuk do të ketë kthim prapa dhe skenari i Serbisë për ndarjen e veriut të Kosovës nuk do të ndodhë kurrë dhe me asnjë çmim.

Thaçi tha se “ruajtja e qetësisë, sigurisë dhe tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës është detyra jonë parësore. Për këto parime nuk do të ketë kompromis”.

Kryeministri informoi se dje në orët e pasdites, një grup i organizuar kriminal, i udhëhequr nga liderët e strukturave paralele serbe dhe autoritetet e Beogradit, kanë sulmuar fillimisht pikën 1, e më pas atë 31.

Pika 1 është djegur dhe dëmtuar në masë të madhe, ndërsa pika 31 është mbrojtur nga forcat e KFOR-it dhe ato të policisë së Kosovës, tha Thaçi.

Sipas tij, këto veprime të dhunshme janë urdhëruar, koordinuar dhe udhëhequra nga strukturat me të larta politike të qeverisë së Serbisë.

Ai bëri të ditur se forcat e KFOR-it dhe policia e Kosovës kanë mbajtur kontrollin në pikën 31, ndërsa pika 1 është rimarrë nga forcat e KFOR-it dhe aktualisht është mbyllur për qarkullim.

Kryeministri Thaçi garantoi se Qeveria e Kosovës, do të ndërmarrë veprime të menjëhereshme qysh sot për të riparuar logjistikën e dëmtuar në pikën 1, me qëllim që aty të dërgohen përsëri oficerët e policisë kufitare të Kosovës së bashku me doganierët.

Ai siguroi se masat e reciprocitetit me Serbinë do të instalohen dhe zbatohen në gjitha pikat kufitare me Serbinë dhe kjo do të zgjasë derisa Serbia nuk e ndryshon qëndrimin e saj.