Lajme Shqip Thursday, 11 October 2012 13:46

TIRANË – Kuvendi miratoi të enjten me 73 vota kandidaturën e Lefterie Lleshit për postin e kryetares së re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa opozita e pranishme në sallë nuk mori pjesë në votim.

E përzgjedhur, mes 18 aplikantëve që konkuruan për këtë post në Kuvend, pas votimit të fshehtë ajo u zgjodh në këtë detyrë vetëm me votat e maxhorancës.

Në seancën e sotme deputetët miratuan dhe 6 anëtarët e rinj të KQZ-së. Kështu Partia Demokratike do të përfaqësohet sërish në këtë institucion me Hysen Osmanaj dhe Vera Shtjefni, të cilët pas votimit të fshehtë morën secili nga 119 vota.

Edhe kandidaturat e propozura nga Partia Socialiste, përkatësisht Alban Shtylla dhe Denar Biba morën respektivisht nga 127 dhe 129 vota. Ndërsa përfaqësuesit e partive të vogla në KQZ Ilirjan Muho, i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) mori 90 vota, ndërsa Jano Jani i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 127 vota.(LajmeShqip.com)