Lajme Shqip Monday, 06 May 2013 14:47

Prishtinë – Një delegacion i Kuvendit të Kosovës, është pritur në Kuvajt nga krerët shtetëror të këtij vendi. Delegacioni i Kosovës,q ë kryesohet nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi, ka marrë mbështetjen e zyrtarëve kuvaitianë, se veni i tyre është i gatshëm për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve.

Emiri i Kuvajtit theksoi se marredheniet midis vendit të tij dhe Kosovës do të vazhdojnë të thellohen edhe më shumë në të ardhmen në të gjitha fushat.

“Jemi të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën aty ka nevojë më së shumti. Fondi për Kuvajt është i gatshëm të ndihmojë në çdo projekt qeveritar të studiuar mirë”, theksoi Emiri i Kuvajtit Sheikh Sabah al-Ahmed al-Jaber al-Sabah.

Krymenistri kuvajtian, Sheikh Jaber Al-Mubarak Al-Hamad Al-Sabah, ndërkaq, theksoi se vizita delegacionit nga Kosova është mundësi e mirë e njohjes nga afër me zhvillimet politike dhe ekonomike në të dy vendet dhe shtroi nevojën që në të ardhmen të shkëmbehen edhe më shumë vizita zyrtare. Kryeministri i Kuvajtit tha se ekzistojnë mundësi të shumta të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Kryeparlamentari Krasniqi falënderoi mikpritësit për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe shprehu kënaqësisë për vizitën që po i bënë Kuvajtit mik, për njohjen e Republikës së Kosovës e për mbështetjen e vazhdueshme në institucionet kryesore ndërkombëtare, sidomos në OKB dhe në OKI (Organizatës së Konferencës Islamike ) nga ana e Kuvajtit.

“Unë jam këtu për të shprehur edhe njëherë gjithë mirënjohjen e vendit dhe popullit tonë për miqësinë e sinqertë dhe për mbështetjen e pakursyer që na keni dhënë, si dhe për të rikonfirmuar ndjenjat tona të larta të miqësisë së përhershme me Kuvajtin dhe popullin e tij të mrekullueshëm. Republika e Kosovës dëshiron të thellojë marrëdhëniet me Kuvajtin mik në të gjitha fushat, si partnerë strategjikë, në dobi të interesave e të bashkëpunimit reciprok dhe të miqësisë midis dy vendeve dhe popujve tanë. Presim që Kuvajti të vazhdojë mbështetjen për njohjen e Kosovës edhe te vendet e tjera arabe e islamike që ende nuk e kanë bërë këtë”, theksoi kryetari Krasniqi, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Kreu i Kuvendit të Kosovës i njoftoi udhëheqësit shtetërorë kuvajtianë me  të gjitha zhvillimet aktuale në vendin tone.