Lajme Shqip Thursday, 31 March 2011 16:57

Prishtinw – Kuvajti do të shqyrtojë shumë shpejt njohjen formale të Republikës së Kosovës u shpreh sot deputeti i Parlamentit kuvajtian, Waleed Al-Tabtabae, gjatë takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj.

Burime zyrtare të MPJ bënë të ditur se kryesuesi i delegacionit të grupit parlamentar të miqësisë Kuvajt- Kosovë, Al-Tabtabae shprehu vullnetin e institucioneve kuvajtiane që të lidhin dhe forcojnë bashkëpunimin e gjithanshëm me Kosovën.

Nga ana e tij, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, shprehu vullnetin e institucioneve të Kosovës për të vendosur raporte miqësore me Kuvajtin.

Ministri Hoxhaj tha se Kosova dhe Kuvajti duhet të intensifikojnë format e bashkëpunimit, mes dy qeverive, dy parlamenteve, por edhe mes qytetarëve të dy shteteve. Edhe përfaqësuesit e Parlamentit të Kuvajtit shprehën vullnetin e vendit të tyre për vendosjen dhe forcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me Kosovën.

Ndërkohë, delegacioni nga Kuvendi i Kuvajtit, i Grupit të Miqësisë Parlamentare Kuvajt-Kosovë, i kryesuar nga dr. Waleed Al-Tabtabae, ndoqi një pjesë të seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës dhe u prit në një takim nga kryeparlamentari kosovar Jakup Krasniqi. “Vendimi për njohjen e pavarësisë është marrë, por pritet vetëm formalizimi i saj”, theksoi në takim Al-Tabtabae, sipas njoftimit të zyrës për media dhe marrëdhënie me publikun të Kuvendit të Kosovës.