Lajme Shqip Saturday, 14 April 2012 14:41

Prishtinë-Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fule ka thënë se, “normalizimi i mëtejshëm i marrëdhënieve të Beogradit me Prishtinën, mbetet kusht politik për Serbinë, që të vazhdojë rrugën e integrimeve evropiane”.

I pyetur nga Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë se cilat janë shanset që Serbia, deri në fund të vitit, të marrë datën e negociatave për anëtarësim në BE, duke marrë parasysh problemet në zbatimin e marrëveshjes për prezantimin rajonal të Kosovës, Fule ka thënë se ky proces “mund të zgjasë një muaj, por edhe katër vjet”.

Diplomati evropian ka thënë se nuk është e preçizuar saktë nëse fusnota për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale duhet të vihet para delegacionit të Prishtinës apo në dokumentet zyrtare të takimit të caktuar. “Tani, gjatë fushatës zgjedhore në Serbi, ndoshta nuk është momenti i duhur që një gjë e tillë të preçizohet por menjëherë pas zgjedhjeve, do t’i kujtoj të dyja palëve se çfarë saktësisht kanë rënë dakord, e jo secila nga ato të interpretojë marrëveshjen në mënyrën e vet”, është shprehur Fule.

Prishtina dhe Beogradi, në muajin shkurt, kanë arritur marrëveshjen për bashkëpunimin rajonal në kuadër të dialogut teknik mes tyre. Sipas marrëveshjes, Kosova, në forumet dhe nismat rajonale, përfaqësohet me fusnotën e cila përmban Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë. (LajmeShqip.com)