Lajme Shqip Friday, 21 August 2015 08:09

Gjykata Kushtetuese ka dhënë sinjale të enjten se mund të ndërmerren çfarëdo veprimesh për konstituimin e Gjykatës Speciale, pavarësisht faktit se opozita e ka kontestuar bazën kushtetuese që mundëson ngritjen e saj, shkruan sot Koha Ditore.

Madje, ajo ia ka dhënë presidentes Atifete Jahjaga dritën jeshile për të shpallur dy ligje që derivojnë nga amendamenti kushtetues për Specialen.

Një javë më parë, 24 deputetë opozitarë kanë kërkuar nga Kushtetuesja që të nxjerrë një verdikt, nëpërmjet të cilit do të shfuqizohej amendamenti për Specialen. Është kontestuar edhe përmbajtja e edhe procedura e miratimit të amendamentit.

Megjithëkëtë, faktori vendës dhe ai ndërkombëtar nuk kanë pezulluar veprimet në kontekst të funksionalizimit të Speciales.

Një burim i gazetës ka thënë se po punohet në disa drejtime, përfshirë negocimin e marrëveshjeve për shtetet nikoqire për vendndodhjen dhe premisat, hartimin e statutit dhe akteve tjera rregullative të Gjykatës, rekrutimin e gjyqtarëve dhe stafit tjetër, si dhe në krijimin e infrastrukturës, ku do të zhvillojë aktivitetin ky mekanizëm që vetëm formalisht do të jetë pjesë e sistemit kosovar të drejtësisë.

Në Qeveri dhe as në Zyrën e Bashkimit Evropian nuk kanë folur për këtë.

Opozita ka insistuar që të mos njihet asnjë pasojë e prodhuar nga amendamenti, e që nënkupton edhe pezullimin e procedurës për konstituimin e kësaj gjykate që do të trajtojë pretendimet që përmban raporti i Këshillit të Evropës për krime të UÇK-së. /koha/