Lajme Shqip Wednesday, 09 November 2011 18:40

Zbardhet vendimi i Gjyk. Kushtetuese që rrëzonte kërkesën e Bashkisë së Tiranës, firmosur në atë kohë nga Edi Rama si kryetar për antikushtetueshmërine e vendimit të Kuvendit për ndërtimin e kompleskit të ri parlamentar.

Më hollësisht Bashkia e Tiranës kishte pretenduar në Gjykatën Kushtetuese se me këtë vendim Kuvendi ka ndërhyrë në kompetencat e pushtetit vendor duke kërkuar, shfuqizimin dhe pezullimin e zbatimit të vendimit, i cili sipas tyre kishte për qëllim shembjen e Piramidës.

Bashkia kishte identifikuar si shkak kryesor të mosmarrëveshjes, ushtrimin e kompetencave të organeve të qeverisjes vendore  në fushën e planifikimit, menaxhimit urban dhe kontrollit mbi territorin, nga ana e Kuvendit të Shqipërisë.

Por në kundërpërgjigje të saj Kuvendi theksoi gjatë shyrtimit të çështjes se kërkesa e Bashkisë është pa objekt, për arsye se nuk jemi në kushtet e një mosmarrëveshjeje kompetencash. Kjo pasi vendimi është në kuadrin e idesë dhe jo të procedurave realizuese.

Fjala“ndërtim”, sipas juristeve te Kuvendit, nuk është përdorur në kuptimin e drejtpërdrejtë praktik të saj, pasi ne vendim nuk shprehet për prishjen e ndonjë godine, por vetëm prezanton objektivin dhe qëllimin e Kuvendit për të ngritur një kompleks të ri parlamentar.

Kuvendi, gjihtashtu, e quajti të pambështetur kërkesën për pezullim, pasi nuk jemi në kushtet e cenimit të interesave shtetërore, shoqërore ose individuale, per më tepër, nuk rezulton të ketë asnjë shembje godine, ndërtim apo fillim punimesh pranë Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës “Pjetër Arbnori”

Pasi ka degjuar palet Gjykata Kushtetuese sqaron se mosmarrëveshja e kompetencës është kur kemi një konflikt midis dy ligjeve dhe jo midis një ligji dhe një vendimi të Kuvendit. Sipas saj vendimi artikulon vetëm vullnetin e Kuvendit për fillimin e procedurës së ndërtimit të Kompleksit të ri Parlamentar dhe nuk është akt tipik nënligjor.

Po ashtu Gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës për pezullim, për arsye të mungesës së argumenteve bindëse për cënimin e interesave shtetërore, shoqërore ose të individëve, si rrjedhojë e zbatimit të menjëhershëm të këtij vendimi.

Ky vendim, si nismë e Parlamentit, parashikon miratimin më pas të një ligji të veçantë, për sa i përket procedurës që do të ndiqet për ndërtimin e Kompleksit të ri Parlamentar.

Perfundimisht Gjykata Kushtetuese shprehet se Kuvendi nuk ndërhyn në kompetencat e Bashkisë së Tiranës, dhe pretendimet e subjektit kërkues për cenim të neneve te Kushtetutës, janë haptazi të bazuara.  Per keto arsye thuhet ne vendimin e zbardhur se gjykata me shumice votash vendosi rrezimin e kerkeses se Bashkise se Tiranes.