Lajme Shqip Friday, 08 November 2013 10:47

Prishtinë- Nga zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, AAK dhe Vetëvendosje kanë pritur më shumë, kurse LDK dhe PDK po deklarohen si partitë e para në nivel nacional.

Përfaqësues të katër partive më të mëdha në vend, kanë shprehur qëndrimet e tyre në lidhje me zgjedhjet lokale.

Burim Ramadanit nga AAK, vlerëson se partia e tij është rritur në nivelin nacional, në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Mirëpo, ai u shpreh edhe i befasuar për të keq sa i përket rezultatit në Komunën e Gjakovës dhe të Pejës.

“Kemi numër të rritur të votave. Jemi konfirmuar parti e tretë bindshëm, me dallim prej 14.7 në krahasim me Vetëvendosjen, kjo është skena politike sot. Kemi pritur më shumë , por që pritjet ende janë në gjysmë”, tha Ramadani.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje ka pritur më shumë, kurse Dardan Molliqaj vlerëson se analizat e rezultateve që po bëhen ditëve të fundit nuk janë reale.

Ai ka konsideruar që edhe në këto zgjedhje ka pasur vjedhje votash, duke paralajmëruar padi ndaj komisionerëve, qofshin ata edhe të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërsa, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Arben Gashi, tha se pavarësisht faktit që nuk do ta luajë rolin e triumfalistit, LDK, me rezultatet e këtyre zgjedhjeve, është kthyer e para në vend.

“Ne si subjekt politik jemi subjekti kryesor, për shkak se jemi një subjekt monocentrik, por policentrit. LDK e ka Gjilanin bindshëm e para, Pejën, Lipjanin, Vitinë e të tjera, ku LDK-ja është e konsoliduar. Ne kemi arritur që të japim mesazhin se ne jemi për qytetarët dhe me qytetarët. LDK-ja nuk e ka epitetin e një partie lokale, por parti që po shtrihet në tërë territorin e Kosovës”, tha Gashi.

Ndërsa rezultat jo të kënaqshëm për LDK-në, Gashi i ka vlerësuar dy komunat e mëdha siç janë Gjakova dhe Mitrovica, por që sipas tij do të shohin se cilat janë problemet reale atje.

Edhe Blerand Stavilevci nga PDK, tha që partia e tij është numër 1 në nivel vendi, dhe se është mjaft i kënaqur me rezultatet e këtyre zgjedhjeve.

Ndërsa sa i përket koalicioneve që mund të bëhen nëpër komuna, Burim Ramdani i AAK-së tha se këtë gjë do t’ua lënë degëve, për shkak se më mirë se ata nuk mund ta dijë kryesia qendrore. Ndërsa, tha se në komunën e Suharekës, pret mbështetjen e PDK-së, kurse në Klinë dhe Viti, atë të LDK-së.

Sipas Vetëvendosjes koalicionet për balotazhet në Kosovë po ndërtohen në bazë të afërsisë lokale, ose asaj qendrore, dhe kjo nuk ka të bëjë me alternativën politike.

Sa u përket koalicioneve Stavileci i PDK-së tha se përveç koalicioneve, që i kanë bërë zyrtare deri tani, për të tjerat është ende duke analizuar./shekulli/