Lajme Shqip Tuesday, 18 August 2015 12:31

Ish-zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe profesori i Letërsisë Shqipe Eqrem Kryeziu ,duke u ndërlidhur me debatet që po zhvillohen për akademikët kosovarë ka shkruar se në “shkollat tona kultivohet servilizmi”. Kryeziu, në një postim në Facebook, ka thënë se kur e kishte ngritur këtë çështje, akademikëve të partisë së tij nuk u kishte pëlqyer fare.

Ja çfarë shkruan Kryeziu.

Mbi jetën akademike në Kosovë

Kultivimi i servilizmit të studentëve në shkollat tona, veçan në shkollimin e lartë, ka qenë i kobshëm dhe është i tillë për shoqërinë. Ëndrra e secilit servil është të bëhet, për kompensim, një person autoritar e dominues aty ku mundet e kur mundet. Qoftë kjo familja a rrethi i tij i punës. Në çastin kur servili bëhet pushtetar, ai kërkon servilizëm absolut prej vartësve a prej komunitetit partiak, sikur që e kemi parë tashmë.

Gjatë robërisë, servilët bëhen me lehtësi spiunë, duke me qenë se, të paktën, dominojnë mbi fatet e atyre që i dëmtojnë përmes denoncimeve.

Edhe në liri ata kërkojnë autoritetin që i nënshtron. Duket sikur janë bërë ekskluzivisht të varur nga thithja e apasionuar e tullumbit. Mjafton t’ua rrezikosh këtë thithje që të sistemohen që të gjithë në radhë të disiplinuar.

Apeli i individëve për ta përqëndruar energjinë e shoqërisë në caqe të caktuara nuk gjen fare jehonë, sepse vetëm ëndrra për të dominuar vepron tek servilët.

Një pedagog do të duhej të vlerësohet me pavarësinë e mendimit të studentëve të vet, qoftë ky mendim edhe kundër pedagogut vetë. Çdo kriter tjetër është gënjeshtër e rëndë. Fakti se filan profesori ia ka dalë të shndërrohet në një Bacchus para studentëve dëfton se i gjori nuk ka arritur kurrë emancipimin dhe individuacionin. Pale pastaj studentët e tij.

Në paraqitjen time të fundit para opinionit, në zgjedhjet parlamentare që kaluan, iu referova kësaj dukurie dhe ngula këmbë se vetëm kultivimi i debatit pro et contra tezave të profesorit i përfshin të rinjtë në procesin e pavarësisë së tyre intelektuale e psikike.* I kisha para vetes atëbotë dy akademikët e partisë, por ata më shikonin me do syçka alienësh, shprehje kjo se nuk u pëlqenin ato që thoshja.

Natyrisht, nuk isha i famullisë së tyre.