Lajme Shqip Tuesday, 26 July 2011 19:14

Prishtinë – Vënja e kontrollit në pikat 1 dhe 31 garanton zbatim të plotë të masave të reciprocitetit me Serbinë, ka thënë zëvendës-kryeministrja Kusari Lila. Ajo njëherit ka njoftuar edhe për plotësimin e masës së reciprocitetit, që ndalon ri-eksportin e mallrave serbe nga vendet fqinje.

Kthimi i Policisë së Kosovës në pikat 1 dhe 31, do të ndikojë në zbatimin më të lehtë të masave të reciprocitetit me Serbinë, ka thënë zëvendës-kryeministrja Mimoza Kusari – Lila.

“Me vënjen e kontrollit në pikat 1 dhe 31 besojmë në një zbatim të plotë të vendimit të qeverisë të Republikës së Kosovës për reciprocitet me Serbinë dhe Bosnjën”, ka thënë Kusari.

Në lidhje me masat e reciprocitetit, Radio Blue Sky ka raportuar se sipas prodhuesve vendorë, Serbia, përveç që nuk i pranon Vulat e Doganave të Kosovës, nuk i pranon as Çertifikatat e Origjinës dhe ato Fito-sanitare. Ministrja Kusari, thotë se është përmirësuar dhe plotësuar masa e reciprocitetit në këtë aspect.

“Po, e kemi bërë publike që Kosova njëjtë nuk do t’i pranojë Vulat e Serbisë që përcakton origjinën e mallit, gjegjësisht një mall nuk do të mund të rieksportohet nga Maqedonia për në Kosovë”, ka deklaruar Kusari.

Këto komente u bënë në një debat të organizuar në Universitetin AAB-Riinvest. Aty zëvendës-kryeministri tjetër, Behxhet Pacolli, paralajmëroi krijimin e një fondi për investime në bujqësi.

“Dje kam pasur biseda intensive me një grup të madh financiar amerikan dhe kemi filluar të mendojmë që të krijojmë një fond në vlerë prej 150 milionë eurosh. Ky fond do të mbështetet edhe nga USAID me një pjesëmarrje të madhe, i cili fond do të investohet në agrobiznes”, ka thënë Pacolli, duke garantuar s’e me një fond të tillë, do të krijohen 50 mijë vende pune.