Lajme Shqip Monday, 20 August 2012 15:22

New York  – Lideri i lëvizjes ”Vetëvendosje!”, Albin Kurti vlerëson se Lugina e Preshevës nuk do të përfshihet në bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit.

”Serbia me qëllim mban nën kontroll të hekurt edhe Luginën e Preshevës edhe veriun e Kosovës. Kësisoj ajo po fiton koncesione kundër politikanëve shqiptarë që jo vetëm nuk kontrollojnë asgjë, por për më tepër, vetë ata janë të kontrolluar nga faktorët ndërkombëtarë. Nëse si pikënisje kemi vullnetin tonë dhe parimet universale të së drejtës dhe drejtësisë, atëherë duhet mohuar realitetin e krijuar dhunshëm nga të tjerët, kundër vullnetit tonë. Shteti i Shqipërisë dhe i Kosovës duhet të bëhen bashkë dhe t’i ndihmojnë dhe përkrahin fuqishëm shqiptarët në Luginë të Preshevës në çdo aspekt. Nuk përmirësohet aspak gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës përmes bisedimeve me Serbinë. Kemi nevojë për monolog kombëtar, jo për dialog me armiqtë”, ka deklaruar Kurti në një intervistë për gazetën ”Illyria”, që del në New York.  

Sipas tij, Tirana dhe Prishtina e kanë për obligim një bashkëpunim të ngushtë midis tyre, por edhe koordinimin e politikave të përbashkëta me shqiptarët që jetojnë në shtetet e tjera të rajonit, në drejtim të faktorizimit të kombit shqiptar në Ballkan.

Duke folur mbi gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni, Malin e Zi dhe trevat tjera, Kurti ka nënvizuar se shqiptarët që si rezultat i ngjarjeve historike në të kaluarën kanë mbetur padrejtësisht dhe kundër vullnetit të tyre jashtë shtetit shqiptar duhet ta kenë mbështetjen dhe përkujdesjen konstante të Shqipërisë. (LajmeShqip.com)