Lajme Shqip Friday, 09 March 2012 15:29

Bruksel-Gjatë ditës së dytë të qëndrimit në Bruksel, delegacioni i Lëvizjes Vetëvendosje i përbërë nga kryetari Albin Kurti dhe nënkryetari i parë Shpend Ahmeti, zhvilluan takime në Komisionin Evropian, ku u pritën nga Drejtori i përgjithshëm i Drejtoratit për zgjerim, Stefano Sannino, zëvendësi i tij, Joost Korte, Drejtori për çështje të Kosovës, Bosnjës dhe Hercegovinës, Shqipërisë dhe Serbisë, Pierre Mirrel dhe bashkëpunëtorë të tyre. 

Në takim, të dyja palët shfaqën qëndrimet në lidhje me zhvillimet e fundit politike në Kosovë, me theks të veçantë në zhvillimet pas raundit të fundit të dialogut, si dhe për sfidat e Republikës së Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian, e që përfshijnë por nuk janë të kufizuara në sovranitetin e vendit, institucionet e brishta, si dhe nivelin e lartë të korrupsionit dhe mungesën e zhvillimit ekonomik.

Vetëvendosje në këtë takim paraqiti para Komisionit Evropian vizionin e vet për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, me vëmendje të veçantë në luftimin e papunësisë, luftimin e korrupsionit përmes legjislacionit të domosdoshëm dhe zhvillimit institucional të gjyqësorit, si dhe përsëriti edhe njëherë kundërshtimin ndaj dialogut me Serbinë dhe koncesioneve të vazhdueshme që qeveria e Republikës së Kosovës po i bën, e që po e dobësojnë funksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe perspektivën që Kosova të bëhet sovrane, ndërkohë që nuk po e ndryshojnë aspak qasjen e Serbisë ndaj Kosovës.

Të dyja palët vlerësuan që për të gjitha qëndrimet është e dobishme t’i vazhdojnë debatet e diskutimet edhe në të ardhmen me qëllim të përparimit politik, shoqëror dhe ekonomik në Republikën e Kosovës. (LajmeShqip.com)