Lajme Shqip Tuesday, 06 November 2012 19:53

Prishtinë – Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka shkruar një letër të hapur presidentes Atifete Jahjaga, për siç ka thënë “disa keqfunksionime shqetësuese të institucionit të Presidentit të Republikës së Kosovës”. Kurti iu ka referuar një deklarate, që sicc thuhet, presidentja Jahjaga e ka dhënë për agjencinë “KosovaPress”, ku sipas tij ka thënë se “Vetëvendosje ka bërë manipulim të masave, me rastin e aksioneve e protestave më 22 dhe 23 tetor”.

“Shqetësues, në rastin e deklaratës suaj, nuk është qëndrimi personal i zonjës Jahjaga, por qëndrimi i Presidentes së Republikës së Kosovës. Sipas Nenit 83 të Kushtetutës së Kosovës, i cili trajton statusin e Presidentit citojmë: ‘Presidenti është Kreu i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së Kosovës”’. Mjafton ta lexoni këtë Nen të Kushtetutës për të kuptuar se nuk ju përket juve të mbani anë politike, apo të ngrini akuza të pabaza mbi një forcë politike që është aktualisht e treta në vend, e që është votuar prej dhjetëra mijëra qytetarëve të Republikës”, thuhet ndër të tjera në letrën e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti ia ka kujtuar mënyrën se si është zgjedhur presidentja, në bazë të marrëveshjes tripartiake, duke theksuar se marrë parasysh këtë “nuk pritet që presidentja të përfaqësojë unitetin e popullit”.

Ai ka kritikuar edhe “mbështetjen, që Jahjaga e ka dhënë për policinë, por nuk e ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj protestuesve”.

“Këto qëndrime, Zonja Presidente, janë vërtet shqetësuese. Ju po silleni si një përfaqësuese e ekzekutivit policor, e jo si një përfaqësuese e unitetit kombëtar në Republikën e Kosovës”, thuhet ndër të tjera në letër.

Kurti ka kërkuar edhe shpjegime për siç ka thënë “takimin me përfaqësues ilegalë të serbëve ne veriun e Kosovës”. (LajmeShqip.com)