Lajme Shqip Wednesday, 12 September 2012 16:11

Prishtinë – Që prej zgjedhjeve të vjeshtës së 2010-shit, Lëvizja Vetëvendosje është e treta për nga rëndësia në Parlament. Madje, vetë Albin Kurti drejton Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë. Ish-lideri student, që është ndeshur me regjimin e Milloshevicit në kohën e ish-Jugosllavisë, që këtej e tutje shënjestron perëndimorët. Së shpejti dyzetvjeçar, ai kritikon me ashpërsi “protektoratin” në Kosovë dhe është kundërshtar i vendosur i qeverisë. Ai qëndroi disa ditë në Zvicër për të takuar komunitetin kosovar (nga 170.000 deri 200.000) si dhe politikanë të shumtë, shkruan ditorja zvicerane, “Le Temps”.

“Jam i shqetësuar sepse komuniteti ndërkombëtar ka pasur ambicie shumë të dobëta për Kosovën. Qeveria jonë është e dobët; shteti ynë është i dobët; Serbia bën gjithçka për dështimin tonë; situata ekonomike është katastrofike; në fakt ne nuk zotërojmë pavarësi, por thjesht dhe rregullisht karta pavarësie. Ky përfundim i ICO-s do të jetë pretekst për festime të reja dhe asgjë më tepër. Por, unë nuk do të marrë pjesë në këto festime”, ka thënë Kurti, transmeton Telegrafi.

Kur është fjala te veriu i Kosovës, Kurti deklaron se problemi qëndron tek strukturat paralele të krijuara në kohën e Milosevicit, që Beogradi vazhdon t’i mirëmbajë për t’i pasur si mjet kundër nesh.

“Pikërisht ato duhet t’i luftojmë, sepse minojnë vendin tonë. Disa qindra agjentë manipulojnë serbët e veriut, atë popullsi që do të duhej të integrohej më së shpejti socialisht dhe politikisht, me universitete të mira dhe me punë. Serbia e ka shkopin dhe ledhën më të fortë se Kosova”.

Lideri i VV-së deklaron se perëndimorët dërgojnë ushtarë, policë dhe prokurorë, ndërsa janë mësuesit, inxhinierët dhe agronomët ata që na nevojiten më shumë!

“Ekonomia është përtokë; nuk ka industri, as bujqësi. Kontratat negociohen shumë më sipër çmimeve të tregut, vetëm për të favorizuar dikë. Privatizimet e kanë rrënuar vendin dhe kanë ngjizur korrupsion. ‘Mbreti’ ynë, shefi i ICO-së, po niset me një trastë pisllëqesh që ka frikë ta hapë. Do të ishte dëshmitar i shkëlqyer nëpër gjyqe! Arrestimet që janë kryer nuk kanë pasur të bëjnë asnjëherë me peshkaqenët e mëdhenj, por vetëm me peshq të vegjël”.(LajmeShqip.com)