Lajme Shqip Thursday, 28 February 2013 15:56

Tirane – Hetimet për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt kanë nxjerrë dyshimet e para të lidhjeve të aferta të biznesmenit të dyshuar për vrasje me drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit shqiptar.

Fotot e një gostie midis katër drejtuesve kryesorë të policisë shqiptare me të akuzuarin janë një tronditje për unfiormat blu në vend, pasi publikohen vetëm tre ditë pas ngjarjes shokuese.

Në foto, i akuzuari Arben Frroku ndodhet në krah të Agron Kulicaj, nëndrejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i Drejtorisë kundër krimit të organizuar dhe asaj të krimeve të renda.

Pas tij, në të njëjtën foto, ndodhet Muhamet Rrumbullaku, nëndrejtor i përgjithshëm i Policisë së Shteit për çështjet e rendit dhe sigurisë publike, Nikolin Bala, drejtor i operacioneve speciale, si dhe Tonin Vocaj, drejtor i Drejtorisë për krimet e hapura.

Fotot, pavarësisht se nuk kanë kohën në të cilën janë bërë, japin imazhin e qartë se krerët e policisë kishin lidhje me të dyshuarin si vrasës.

Kjo errëson më tepër historinë, pas deklaratave të vetë kryekomisarit, që kishte kryer disa denoncime rresht ndaj Arben Frrokut për kërcënime me jetë, por ato nuk ishin marrë parasysh.

Të dhëna jozyrtare sugjerojnë se, mbrojtja kryekomisarit nuk iu mohua vetëm nga policia dhe kolegët e tij, por denoncimet nuk u morën parasysh as nga prokuroria e rrethit Tiranë, e cila asnjëherë nuk nisi një hetim në lidhje me kallëzimet e kryera nga Lamaj.

Largimi nga detyra në komisariatin numër gjashtë, kryekomisar Lamajt iu komunikua me pretekstin e dhunimit të biznesmenit, i cili dyshohet se e ka vrarë. Mesa duket, kjo do të jetë edhe një pjesë e hetimit, për të verifikuar nëse miqtë e biznesmenit të dyshuar si vrasës kanë ndikuar në largimin apo jo nga detyra e tij.

Burimet hetimore, por jozyrtare, bëjnë të ditur se i dyshuari për vrasjen e kryekomisarit ka patur lidhje të ngushta edhe me prokurorë, të cilët e kanë ndihumar atë që të mos ndiqej penalisht pas kallëzimeve të marra nga kryepolici i Kombinaitit.

Ndërkohë që në provat materiale do të merren edhe tabulatet telefonike të kryekomisar Lamajt, i cili ia kishte vënë në dispozicion të gjitha Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm.

Ky seksion ishte në dijeni të plotë për të gjitha kërcënimet. Ndërkohë që në analizimin e ngjarjes së konfliktit të Frrokut me Lamajn, në raportet e saj SHKB ka qenë në favor të biznesmenit.(LajmeShqip.com)