Lajme Shqip Monday, 13 February 2012 15:30

Prishtinë – Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Robert Kuper, do të qëndrojë nesër në Kosovë.

Këtë ia konfirmoi radios ‘Evropa e Lirë’ Maja Kocijanqiq, zëdhënëse e shefes së diplomacisë evropiane, Kethrin Eshton.

“Po, ai do të qëndrojë atje për të përgatitur raundin e ardhshëm të dialogut”, ka thënë ajo.

Përgjatë javëve të kaluara, Kuper kishte vazhduar kontaktet me delegacionin kosovar dhe atë serb për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët rreth bashkëpunimit rajonal, përkatësisht rreth mënyrës së përfaqësimit të Kosovës në nismat dhe forumet rajonale.

Beogradi zyrtar vazhdon të insistojë që Kosova të përfaqësohet nën rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, ndërsa autoritetet kosovare kanë këmbëngulur deri tani në përfaqësimin si shtet i pavarur.