Lajme Shqip Saturday, 11 February 2012 12:11

Bruksel-Ekipi i lehtësuesit Robert Cooper e ka ndarë mendjen për fusnotën. Siç raporton e përditshmja “Koha Ditore” Kosova do të paraqitet në nisma ndërkombëtare vetëm me emër dhe një shënim në fund ku përmendet Rezoluta 1244 dhe Opinioni i GJND-së.

Burime në Bruksel kanë bërë të ditur për gazetën se Serbia është pajtuar me këtë version dhe tash mbetet presioni te pala kosovare.

“Serbisë do t`i jepet statusi i kandidatit nëse arrihet marrëveshja ose nëse ajo dështon për fajin e palës kosovare”, i ka thënë gazetës një diplomat evropian.

Burimet në Bruksel kanë bërë të ditur se Gjermania ka mbetur e izoluar në kundërshtimin për t`i dhënë Serbisë statusin kandidat për anëtarësim në BE. Sipas të njëjtave burime Austria është tërhequr pasi që, siç thonë diplomatët, edhe kundërshtimi në dhjetor i Austrisë ka qenë aksidental.