Lajme Shqip Tuesday, 13 March 2012 12:45

Kryeministri Sali Berisha ka sulmuar në mbledhjen e qeverisë presidentin Bamir Topi, i cili para disa ditësh kishte deklaruar se qeveria po bën një lëmsh me çështjen e pronave duke nxjerrë çdo muaj akte administrative.

Pikërisht për shkak se në mbledhje qeverie Berisha kishte në plan të nxirrte një tjetër akt administrativ për pronat, gjeti momentin të sulmojë presidentin duke thënë se ai ka mashtruar për të marrë pronat duke u hequr si kooperativist.

“Ai ka mashtruar me dokumente e pa dokumente për pronat. E ka bërë veten ish- kooperativist. Kooperativë bujqësore në qendër të Tiranës nuk ka pasur. Po çështje e pronës është një problem në shumë vende të zhvilluara. Ndaj nuk duhet të irritohet askush pse qeveria ndërmerr akte administrative, pse qeveria përditëson ligjet për pronat. Në këtë fushë po lëvizet me vendosmëri të madhe. Por kjo është një fushë e komplikuar,” tha Berisha.

Kryeministri foli edhe për problemin e legalizimeve. Ai tha se shpërngulja është fenomen konstant në kapitalizëm. “Më thoni ju se kush ka rrafshuar ndërtimet e të shpërngulurve? Shpërngulja është një fenomen konstant i sistemit që po zhvillojmë. Çdokush ka të drejtë të zgjedhë vendin ku do banojë. Natyrisht krijohen probleme sociale, por ndaj janë autoritetet, për tu dhënë përgjigje këtyre problemeve. Ndaj çështjet e pronësisë nuk janë të thjeshta. Ato zgjidhen me ligje, me platforma, alternativa,” u shpreh Berisha.

Meqë nesër është Dita e Verës, Berisha u premtoi shqiptarëve një festë të madhe në 20 vjetorin e zgjedhjeve të 22 marsit 1992. “Do bëj një festë tjetër tani, 20 vjetorin e përmbysjes së diktaturës me votë. Ky 20 vjetor vjen si kurorë e bukur në këtë 100 vjetor të pavarësisë, vjen si përpjekje e shqiptarëve për demokraci,” tha Berisha.