Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 11:06

Kumanovë – Lideri i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, gjatë qëndrimit të tij në Kumanovë ka vlerësuar se zgjedhjet parlamentare janë të rëndësishme, sepse do të duhet të ndryshojnë këtë gjendje.

Ai ka shtuar se ndaj shqiptarëve po bëhet një diskriminim i paparë ekonomik, pasojat e të cilit janë fatale ku si rezultat i saj po bëhet edhe shpërngulja dhe se ata që po ikin do të jenë ngjashëm, “si ata që u shpërngulën në Turqi dhe nuk do të kthehen”.

Duke kërkuar votën e popullatës, Thaçi, ka thënë se duhet ta dënojmë këtë pushtet i cili në 20 vjetët e kaluar është treguar më antishqiptari.

“Të votosh për BDI-në dhe Ali Ahmetin, do të thotë të votosh për VMRO-në dhe Nikolla Gruevskin. Askush s’na përkrah nëse ne nuk demonstrojmë vullnet politik”, ka thënë ndër të tjera Menduh Thaçi në Kumanovë. Në fjalën e tij, Thaçi madje ka folur edhe për aspektin ekonomik duke theksuar se shqiptarëve nga 35 për qind sa paguajnë, u kthehen vetëm 1 ose 2 për qind. “S’ka të drejta pa para”, ka nënvizuar Thaçi, duke shtuar se destabilizimi ekonomik është çështje ditore. Duke rikujtuar periudhën e viteve 98, ai ka thënë se nëse fiton në zgjedhje do të kthehet përsëri ajo gjendje.

“Kthehet, kthehet ajo gjendje, por duhet vullnet i veçantë. Nuk është i fortë Gruevski”, ka shtuar Thaçi. Ndërkohë, duke folur për të burgosurit shqiptar, Thaçi ka thënë se “i vetmi institucion ku shqiptarët janë shumicë janë burgjet me 97 për qind”. Ndryshe, në pyetjen lidhur me ekzekutimin e Harun Aliut, ai është përgjigjur se “duhet të bëhet ekspertizë nga se është një ekzekutim “klasik mafioz”.