Lajme Shqip Tuesday, 03 May 2011 16:45

Kumanovë – Gjatë të martës në Sllupçan të Likovës është shënuar dhjetëvjetori i fillimit të konfliktit të armatosur në rajonin e Karadakut, gjegjësisht shpallja e Zonës së Lirë.

Në këtë përvjetor jubilar morën pjesë mijëra njerëz nga të gjitha hapësirat shqiptare, ish ushtarë të UÇK-së, invalidë të luftës, familjarë të dëshmorëve si dhe ish drejtuesit politik të UÇK-së.

Edhe ky përvjetor përkundër një ngjarje të rëndësishme, shqiptarët i gjeti të ndarë. Ish përfaqësuesi politik, njëherësh kryetar i BDI-së, Ali Ahmeti bëri thirrje që shqiptarët në Maqedoni, të ruajnë vlerat dhe miqësitë ku shqiptarët ditën të rreshtohen në kohë të duhur.

“Shqiptarët në Maqedoni kanë kapacitete, njerëz por duhet besim te qëllimi për të ecë përpara të cilat i kanë arritur me gjakun e dëshmorëve. Universitetet tona duhet të jenë burim i diturisë, aty duhet të prodhohet atomi shqiptar. Universitetin që e keni në Kumanovë u ndërtua me gjakun e dëshmorëve”, ka thënë Ahmeti.

Në emër të familjeve të martirëve ka folur edhe Abedin Zymberi, ish komandant i UÇK-së dhe deputet nga radhët e DR-së, i cili tha se atë që e kanë arritur shqiptarët në luftë e kanë humbur gjatë këtyre dhjetë viteve me politikë. Zymberi me këtë rast përmendi burgosjen e mbi 150 ushtarëve të UÇK-së, montimin e rasteve si dhe moszgjidhjen e statusit të dëshmorëve. 2 Maji qoftë dita ku na bashkon të gjithëve e jo ditë që na përçan. Kjo popullatë tregoi heroizëm të madh duke i ndihmuar ushtarët me bukë e ujë. Kjo s’ka ndodhur askund në botë që popullata civile të jetë bashkë me ushtarët e tyre. Atë që s’munden ta marrin me pushkë, sot në paqe po i përdorin metodat më të poshtra dhe më të pista që të hakmerren duke i burgosur mbi 150 ushtarë të UÇK-së, mbi 15 janë të dënuar me burg të përjetshëm si dhe duke montuar lloj-lloj rastesh vetëm të gjejnë arsyen e vrasjes siç e bënë edhe me komandantin tonë Harun Aliun e shumë të tjerë. Akoma kemi familje të zhvendosura, akoma kemi invalidë të luftës dhe familje të dëshmorëve pa status të zgjidhur, akoma përdorimi i gjuhës shqipe është i nëpërkëmbur, ende s’kemi ligj për përdorimin e flamurit, akoma kemi probleme në të gjitha sferat e jetës”, ka thënë mes tjerash Abedin Zymberi.

Ndërkohë, ish deputeti Fatmir Hasani, mjek nga lufta e 2001 ka thënë se pa realizimin e të drejtave të shqiptarëve ky vend do të jetë i trazuar.

“Por, edhe pas 10 vjetëve pas luftës nuk duket askund në sfond realizimi i të drejtave të shqiptarëve. Ju përkujtoj për statusin ende të pazgjidhur të dëshmorëve dhe invalidët e luftës, për Karadakun e lënë pas dore, për kohën e zhgënjimit dhe për rrugën e mërgimit. Pa realizimin e të drejtave të shqiptarëve ky vend gjithmonë do të jetë i trazuar”, ka thënë Hasani.

Fakti që qeveria ku ai participoi me shkeljen e të drejtave të shqiptarëve, nuk ishte pengesë që kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Fazli Veliu në Sllupçan të drejtojë kritika.