Lajme Shqip Monday, 09 May 2011 10:26

Kumanovë – Rilindja Demokratike Kombëtare-dega në Kumanovë e Likovë përmes një konference për shtyp ka bërë të ditur se do të angazhohet për hapjen e vendkalimeve kufitare me Kosovën dhe Luginën e Preshevës. Bartësi i listës për deputet i RDK-së Selver Jashari e ka vlerësuar si të domosdoshme hapjen e pikave kufitare me Kosovën dhe Luginën e Preshevës. Kjo, sipas tij, do të ndihmonte qarkullimin e lirë të mallrave, personave, ideve dhe përfitimeve tjera në fusha të ndryshme të jetës.

“RDK nuk pajtohet me neglizhencën dhe turpërimin që bëhet nga institucionet kompetente për bllokimin dhe anashkalimin e hapjes së këtyre pikave të lartpërmendura kufitare që ishin kërkuar edhe si domosdoshmëri nga ana e bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Selver Jashari, kandidat për deputet nga RDK. Ai më tej ka thënë se qeveria e deritanishme ka financuar projekt 200 milion euro për përmendore që nxisin urrejtje dhe padurueshmëri ndëretnike dhe ndërfetare, ndërsa siç ka shtuar, “nuk u bë asgjë për të hapur perden e hekurt me vëllezërit dhe familjet tona që i kemi disa metra larg në Kosovë e Luginë të Preshevës”.

“Ne jemi fuqimisht të bindur se do të kemi si prioritet hapjen e këtyre dy vendkalimeve kufitare, duke shuar njëherë e përgjithmonë këtë kërkesë e cila është bërë një kartë manipulimi dhe mashtrimi të shqiptarëve të këtyre trevave gjatë dekadave të fundit”, ka nënvizuar Jashari. Sipas tij, RDK është alternativa e vetme shqiptare e cila di dhe guxon të konfrontohet me këto politika të diskriminimit dhe nënçmimit të hapur të shqiptarëve, duke pasur parasysh faktin e përbuzjes dhe manipulimit të vazhdueshëm të besimit të marrë nga vota shqiptare.