Lajme Shqip Sunday, 10 April 2011 10:37

Kumanovë – Kanë filluar përgatitjet e para të fushatës parazgjedhore të partive politike në Kumanovë. Aktivitete e para janë ato të hapjes së zyrave, formimit të Shtabeve zgjedhore dhe të komunikimit me elektoratin.

Demokracia e Re (DR) në Kumanovë ka filluar aktivitetin e saj duke hapur zyrë dhe ka vënë kontaktet e para me elektoratin, duke njoftuar me të arriturat e saja në nivel lokal, por, njëkohësisht edhe me synimet e saj në zgjedhjet e ardhshme për të punuar më shumë dhe ku ka nevojë në hapësirën shqiptare.

Ata kanë formuar edhe shtabin zgjedhor, kurse kryetar e kanë zgjedhur Fadil Shabanin, ndërkaq, sekretar Muhamet Zeqirin dhe anëtarë të tjerë.

Në vazhdën e përgatitjeve janë edhe partitë politike shqiptare BDI, PDSH dhe RDK.

Në një takim, gjatë fundjavës, ku ishin edhe anëtarë të kryesive qendrore, ata kanë thënë se brenda një periudhe të shkurtër sa janë në pushtet lokal, kanë arritur të marrin hisen që u takon dhe të punojnë më shumë se partitë tjera shqiptare që ishin në pushtet lokal me vite të tëra.

Një aktivitet të tillë ata kanë thënë se do të vazhdojnë edhe në të ardhmen dhe se me këto zgjedhje parlamentare do të jenë njëkohësisht edhe pjesë e pushtetit, ku pos atij lokal synohet edhe pushteti qendror, “që edhe më lehtë të mund të arrihet qëllimi për interesat e përgjithshme të popullatës”.

Edhe partitë tjera shqiptare janë në vlugun më të madh të organizimit të fillimit të fushatës. Në disa nga partitë po bëhen gati listat për zgjedhjen e njerëzve të parë, por që akoma janë në kombinatorikat e tyre dhe gjithçka është  larg opinionit deri në momentin e fundit.

Aty-këtu po bëhen punësime në prag të zgjedhjeve lokale dhe premtime për probleme të infrastrukturës.

Përkundër nevojës së bashkëpunimit për koalicione dhe që të mos shkapërderdhet vota shqiptare, ende deri më tani nuk është arritur ndonjë marrëveshje e tillë.

Në anën tjetër, udhëheqësi i LSDM, Branko Crvenkovski, gjatë fundjavës ka hapur shtabin zgjedhor rajonale për zonën e dytë në Kumanovë.

“Na pret një betejë e rëndë dhe shumë e rëndësishme. Do të duhet shumë për të hyrë në çdo vendbanim, për të informuar, për të inkurajuar njerëzit dhe motivimin e tyre që më 5 qershor të dalin në votime. Populli nuk është i kënaqur, njerëzit e dinë se kjo është një makth për të ndalë. Gjëja kryesore është që të inkurajohen njerëzit dhe nëse kjo ndodhë, do të ndodhë dhe të fitorja”, ka thënë Branko Cërvenkovski, kryetar i LSDM-së .

Njësisë Zgjedhore 2, i përkasin tetë zyra komunale zgjedhore dhe komunat Nagoriçane, Likovë, Gjorçe Petrov, Orizarë, Gazi Babë, Butel, Çuçer Sandev dhe Haraçinë.