Lajme Shqip Tuesday, 12 April 2011 15:36

Kumanovë – Ditëve të fundit në publik qarkullojnë informata për tensione dhe konflikte në partitë politike për emrat të cilat do të gjenden në listat e deputetëve.

Sipas raportimeve në media, në degën e Kumanovës të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), të mbajtur të dielën, ku është dashur të caktohen kandidatët për deputetë në njësinë zgjedhore numër dy, tensionet mes grupacioneve kanë qenë, siç thuhet, “aq të larta sa që kanë eskaluar në një incident”, bëjnë të ditur mediet në shqip.

Grupacionet e ministrit për Punë dhe Politikë Sociale, Xhelal Bajrami, të kryetarit të Komunës së Likovës, Sadulla Duraku dhe ish deputetit Nazmi Beqiri, nga ana tjetër, kanë përkrahur emra të ndryshëm për deputetë me ç’rast kanë filluar të fjalosen. Në njësinë zgjedhore numër dy, është shumë e rëndësishme kush do të jetë në vendin e kandidatit sepse nga kjo njësi shumica e deputetëve janë maqedonas, ndërsa BDI pritet të ketë konkurrencë edhe nga partitë e tjera politike shqiptare, ku në të njëjtat rëndësi të veçantë ka mu zona zgjedhore numër 2.

Por, kryetari i Likovës, Sadulla Duraku, për “Koha e Re”, ka mohuar incidentin e tillë.

”Nuk ka pasur kurrfarë tensione. Ka qenë mbledhje e zakonshme ku kemi diskutuar për listën prej 20 kandidatëve nga të cilët duhet të zgjidhen për deputetë. Të gjithë janë persona me vlerë dhe mbetet të shohim çfarë do të vendosë kryesia më tej, por tensione nuk kishte”, ka thënë Duraku, njëherësh ish ministër i Bujqësisë.

Ndërkohë, edhe nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, ku ministër i atij dikasteri është Xhelal Bajrami kanë thënë se nuk kanë informata të tilla.

Megjithatë, burimet flasin se zënka ka qenë e tillë sa që vetë zyrtarë të kësaj partie nga Kumanova është dashur të reagojnë për t’i ulur gjakrat. Përpilimi i listave zgjedhore në radhët e BDI-së, madje siç shkruajnë disa media shqipe, ka shkaktuar turbulenca edhe në disa degë të tjera të partisë së Ahmetit, por hëpërhë deri më tani nuk ka ndonjë qëndrim konkret partiak nga ana e partnerit shqiptar në qeveri.