Lajme Shqip Wednesday, 01 February 2012 12:42

Kukës – I ftohti polar ka përfshirë sot verilindjen e vendit. “Në qytetin e Kukësit temperaturat lëvizin nga minus 6 në minus 11 gradë celsius, ndërsa në zonat mbi 1000 metra mbi nivelin e detit,  siç është Shishtaveci, Arrni, etj.,  temperaturat kanë rënë deri në minus  20 gradë celsius”, thotë përgjegjësi i zyrës së emergjencës  civile në prefekturën e Kukësit, Azem Tema. Sipas tij, rënia e temperaturave ka bërë që të mos  arrihet ende të rihapen disa nga akset rrugore në qarkun e Kukësit si ato  të komunave të Shishtavecit, Zapodit, Arrnit, Grykë Cajës dhe Kalisit.

Në këto kushte janë të rralluar lëvizjet nga njëri fshat në tjetrin, si dhe lëvizjet edhe  në rrugët  e qytetit të Kukësit.  I ftohti polar ka bërë që të gjitha akset rrugore të zonës verilindore  të mbulohen  nga shtresa akulli, që kanë vështirësuar ndjeshëm lëvizjen e mjeteve edhe pse gjatë këtyre ditëve nuk janë regjistruar reshje dëbore.

Kjo ka sjellë vështirësi në lëvizjen e  mjeteve, ndërsa  po bëhem përpjekje që të gjitha akset kryesore rrugore të  mbahen të hapura duke hedhur vazhdimisht kripë e skorje për të lehtësuar lëvizjen e mjeteve. Nga ana tjetër, nga postblloqet e policisë është ndaluar rreptësisht në këto akse rrugore lëvizja e mjeteve pa zinxhirë. Ndërsa vazhdon të jetë e normalizuar situata në segmentin e autostradës Morin-Kukës-Tunel, ku lëvizja e mjeteve vazhdon të jetë normale.

Ndërkohë, i ftohti deri tani ka shkaktuar pak shqetësime në furnizimin e konsumatorëve me energji elektrike. “Aktualisht për shkak të defekteve në rrjet janë pa energji elektrike vetëm banorët e fshatrave të komunës së  Tropojës së vjetër”, thotë Tema.

Pavarësisht të ftohtit polar, procesi mësimor vazhdon në të gjitha shkollat e  sistemit parauniversitar të qarkut të Kukësit.  Kjo  pasi të gjitha shkollat janë të pajisura me sistemin ngrohës me dru zjarri, i siguruar me kohë nga ana e pushtetit vendor.